E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uashingtoni dhe Brukseli, rezolutë për Kosovën

Autori i Lajmit: Redaksia

Uashingtoni dhe Brukseli po përgatisin skenarë të ndryshëm të zgjidhjes së marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të shprehë mendimin për pavarësinë e Kosovës. Dhe ndërsa plani i Bashkimit Evropian është i padefinuar, i drejtuar para së gjithash mbi presionin ndaj Serbisë që të fillojë bashkëpunimin praktik me autoritetet e Kosovës, dhe për të do të diskutohet në takimin ministerial më 10 maj, Uashingtoni tashmë dy muaj po përgatit planin që nga Beogradi, si zëvendësim për qasje më të shpejtë në BE dhe fondet e tij, të kërkojë pëlqimin për suprimimin e Rezolutës 1244 dhe për forcimin e pavarësisë së Kosovës.
Politikën e re të Departamentit amerikan të Shtetit, siç pohon e përditshmja e Beogradit "Blic", që e transmeton QIK-u, e ka "zbuluar" Obrad Kesiç, një analist i informuar mirë serbo-amerikan nga agjencia amerikane "TSM Global" nga Uashingtoni. Kesiç pohon se plani ka dritën e gjelbër të Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk merret direkt me Ballkanin, si dhe që administrata e Uashingtonit pret që Beogradi të japë pëlqimin për suprimimin e Rezolutës 1244 menjeherë pas paraqitjes së mendimit të gjykatës. "Në rezolutën e re të OKB, për të cilën angazhohet Uashingtoni, do të futej një pjesë e mendimit të GJND në të cilin rezoluta do të mbështetej dhe ajo do të ishte çelës për forcimin e pavarësisë së Kosovës. Dallimi i madh do të ishte kufizimi i mandatit të saj, sepse ndryshe nga Rezoluta 1244, e cila automatikisht vazhdohet dhe mund të suprimohet vetëm me vota në KB, rezoluta e re do të vazhdohej vetëm nëse për të votohet, pra, pikërisht e kundërta",- ka sqaruar Kesiç planin që në Uashington po e hartojnë tashmë pothuajse dy muaj. Po sipas kësaj gazete, negociatat teknike, joformale të Beogradit dhe Prishtinës tashmë kanë filluar. Në dy muajt e fundit janë zhvilluar disa takime joformale ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në të cilat kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, MPB dhe kabinetit të presidentit Boris Tadiç, mëson gazeta nga burime diplomatike në Uashington. Bëhet fjalë për çështje teknike në nivel të bashkëpunimit operativ, me synimin që midis autoriteteve të krijohet rrjeti i kontakteve dhe kanaleve që do të funksiononin në rast të shpërthimit të krizës. Në Uashington këto bisedime janë vlerësuar shumë pozitive, dhe siç thotë Kesiç, janë ngjallur shpresa që pas vendimit të GJND, të krijohet atmosfera për të nisur negociatat për tema të mëdha siç është tregtia, dogana dhe dokumentet e qytetarëve.

Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën më 17 maj

Këshilli i Sigurimit në një seancë, që do të mbahet më 17 maj, do të shqyrtojë raportin e radhës për zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, që përfshin periudhën e zhvillimeve 15 dhjetor 15 mars. Raporti ka të bashkangjitur edhe aneksin mbi punën e EULEX it. Data 17 maj u njoftua nga Libani, anëtar me mandat dyvjeçar rotativ dhe kryesues i radhës për këtë muaj i Këshillit. Axhenda e takimeve që përfshin edhe seancën për Kosovën, tashmë është miratuar nga Këshilli i Sigurimit, njofton RTK. Kreu i organizatës botërore edhe në këtë raport bën një përshkrim të zhvillimeve në tremujorin e fundit dhe u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të bisedojnë për çështje praktike të bashkëpunimit rajonal. Në raport Ban nënvizon se qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës dhe rajonit lidhet me një proces të suksesshëm pajtimi në mes bashkësive, ndërsa ka shfaqur shqetësimin mbi mundësinë e rritjes së tensioneve në veri. Edhe në këtë seancë Kosovën pritet ta përfaqësojë shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni.

Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›