E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Partia jonë, janë interesat e së nesërmes

Kryetari i socialistëve, Edi Rama, vijoi dje turin e "Dialogut me Shqipërinë" në fshatrat e Pogradecit, Rodokal, Velçan, Trebinjë e Stropçke. Në fjalën e tij para të pranishmëve në takim ai konstatoi se është e papranueshme që e gjithë zona e fshatit, të jetë sot në kushtet e mbijetesës, në pamundësi për të jetuar me një ekonomi të qëndrueshme familjare dhe për të përballuar me qetësi dhe pa sakrifica çnjerëzore jetën e cila vështirësohet çdo ditë, veçanërisht në fshat. "Është i vetmi fshati shqiptar dhe janë të vetmit bujqit, që jetojnë si jetimë, pa asnjë mbështetje, pa asnjë përkrahje, pa asnjë vëmendje nga shteti", tha Rama. Sipas të cilit është e patolerueshme që kjo gjendje të vazhdojë, ku të mos ketë ujë për të vaditur tokën, edhe pse jemi të pasur në burime ujore. Këtyre problemeve, sqaroi ai, ne duhet t‘ju japim përgjigje, duke dhënë zgjidhje dhe jo premtime elektorale për të marrë votat. "Jo për t‘u marrë votën dhe për t‘i lënë më pas në rrjedhën e papunësisë, injorancës, dhunës dhe korrupsionit", vijoi Rama. Kreu i socialistëve u bëri thirrje të rinjve të bëhen zëdhënës të nevojës për ta ndryshuar këtë realitet, që për 17 vjet nuk ka vesh për të dëgjuar, zemër për të ndier, hallet dhe problemet e njerëzve. "Të rejat e të rinjtë, duhet të bëhen përçuesit e kësaj përvoje, duke kërkuar në çdo familje, që të kapërcejmë kufijtë e vjetër të partive, të kapërcejmë kufijtë që na mbajnë të ndarë majtas e djathtas, me shpinë nga njëri-tjetri, ndërkohë që socialistët dhe demokratët e thjeshtë, kudo ku jetojnë, familjet e tyre sidomos në fshat, kanë probleme të përbashkëta, kanë nevoja të përbashkëta", theksoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›