E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti në Bërdo do të zhvillohet, pavarësisht qëndrimit të Sllovenisë

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman van Rompuy, komisari i Zgjerimit, Stefan Fule dhe sipas të gjitha gjasave, ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, kanë konfirmuar ardhjen në samitin e thirrur nga Sllovenia dhe Kroacia, të shtunën më 20 mars në Bërdo afër Kranjit në Slloveni. E vetmja dilemë tashti ka mbetur nëse do të marrë pjesë

edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Sllovenia po bën ende përpjekje për të ulur për herë të parë në një tryezë të përbashkët udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë gjatë një takimi rajonal në fundjavë në qytetin slloven të Bërdos. Drejtori për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Jashtme të Sllovenisë, Urosh Mahkovec, ka theksuar se po vazhdohen përpjekjet për të siguruar pjesëmarrjen e Serbisë në konferencën e udhëheqësve të Ballkanit. Por ai tha se pavarësisht nga vendimi i Serbisë, takimi në Slloveni do të mbahet, dhe organizatorët thonë se shumica e të ftuarve tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Autoritetet serbe e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me kërkesën që Kosova të paraqitet në konferencë vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe jo si një vend i pavarur. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se do të marrin pjesë në konferencë vetëm në cilësi të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Ne ende po përpiqemi që t'i kemi të gjithë. Deri sot shumica nga pjesëmarrësit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por një zgjidhje përfundimtare shpresojmë të gjendet deri nga fundi i kësaj jave, është shprehur Mahkovec, për të shtuar se qëllimi i tyre është që të mbledhin të gjithë pjesëmarrësit e ftuar, përfshirë këtu edhe Serbinë. Ai u shpreh optimist për faktin se do të arrihet të ulen në tryezë së bashku pjesëmarrësit nga Kosova dhe Serbia në këtë konferencë. Qëllimi kryesor është që të ulim së bashku në një konferencë të gjithë udhëheqësit e rajonit, posaçërisht në raport me BE. Dhe mendoj se kjo është një porosi shumë e qartë nga pikëpamja evropiane. Gjithashtu ky samit është punuar në një bashkëpunim të ngushtë me presidencën spanjolle, e cila parasheh që në qershor të këtij viti të organizojë një takim të ngjashëm të udhëheqësve të rajonit, veçoi ai. Por në fund të intervistës së tij, Mahkovec shton se takimi gjithsesi do të zhvillohet edhe nëse Serbia nuk do të marrë pjesë në këtë konferencë. Sipas tij, i takon Serbisë që të vendosë se në çfarë niveli dhe në çmënyrë do që të marr pjesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›