E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kosovare mbron objektet e kultit serb

Qeveria në Serbi dhe serbët e Kosovës kanë kundërshtuar një hap të forcës paqeruajtëse të NATO në Kosovë, KFOR, për t'i dorëzuar përgjegjësinë për ruajtjen e objekteve fetare dhe kulturore serbe policisë së Kosovës. Ministria serbe për Kosovën përmes

një komunikate për shtyp e ka cilësuar të gabuar këtë vendim me të cilin krijohet dyshim në qëllimin e sinqertë për të ruajtur dhe mbrojtur përherë monumentet historike të cilat janë të një rëndësie kulturore për popullin serb. Zyrtarë të KFOR kanë thënë se ky hap reflekton besimin që NATO dhe kombet e saj kontribuese partnere në KFOR kanë në aftësinë e Policisë së Kosovës në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme. Prej të enjtes, monumenti historik i Gazimestanit në dalje të Prishtinës, nuk do të mbrohet më nga forcat paqeruajtëse të NATO. Policia e Kosovës tashmë është përgatitur që të mbrojë dhe ruajë këtë objekt, në të cilin çdo vit në muajin qershor serbët mblidhen për të përkujtuar Betejën e Kosovës të shekullit XIV. Vendimi për bartjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e objekteve kulturore e fetare serbe është marrë nga Këshilli Veri-Atlantik pas konsultimeve me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë, udhëheqësit vendorë dhe policinë e Kosovës. Ky hap vjen në kohën kur misioni i NATO në Kosovë është pakësuar në numër dhe është ristrukturuar, duke iu përshtatur përmirësimit të situatës së sigurisë në terren.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›