Shtatzënitë, mangësi në kontrollet e mjekëve
Gjinekologët nuk janë të gjithë të aftë të ndjekin në mënyrë të saktë shtatzëninë e një gruaje, çka bën që disa nëna, për fat të keq, të sjellin në jetë edhe fëmijë me probleme. Shqetësimi është ngritur dje nga presidenti i Shoqatës së Obstetri-Gjinekologjisë, Nikita Manoku, në Kongresin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës. Sipas gjinekologut të njohur Nikita Manoku, mjekët gjinekologë nuk bëjnë diagnozën prenatale te nënat shtatzëna, duke lejuar lindjen e fëmijëve me defekte gjenetike apo me sëmundje të trashëguara. Gjinekologët, në ndjekjen e shtatzënisë mjaftohen thjesht me një eko-abdominale dhe kaq. Ndaj, sipas presidentit të Shoqatës së Obstetri-Gjinekologjisë, Nikita Manoku, jo të gjithë mjekët gjinekologë janë të aftë t’i bëjnë këto diagnoza, për shkak të mangësive në formim dhe mungesës së aparaturave. “Sot për sot bëhet në mënyrë sporadike. Jo të gjithë mjekët janë të përgatitur në atë nivel që kërkon mjekësia bashkëkohore. Të gjithë duhet të përgatitemi për këtë”, - tha Manoku. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në Kongresin e dytë të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, theksoi edukimin e vazhdueshëm të mjekëve, i cili ndikon direkt në shëndetin e nënës dhe të gruas. Në Kongresin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës mjekë gjinekologë shqiptarë dhe nga vendet e rajonit kanë shkëmbyer eksperienca ndërmjet tyre mbi shëndetin e gruas dhe fëmijës.