E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Sandërlendi, vetëm fillimi im në Angli"

Mesfushori i Sandërlendit, Lorik Cana, ka besim se ai është futbollisti ideal për të ndihmuar skuadrën të zërë një vend të lartë në klasifikimin e Premier Ligës në këtë sezon. Shqiptari ka luajtur një rol kyç për të siguruar menaxherin e ri, Stiv Bruce, se skuadra e ka nisur shkëlqyeshëm sezonin e ri dhe është i bindur se Sandërlendi do ta mbyllë sezonin në mes më të mirëve të Premier Leagues. Këtë besim ia injektojnë dy fitoreve të marra deri tani dhe loja e skuadrës në tre takimet e para të këtij sezoni.

Kjo nisje e mbarë natyrisht justifikon vendimin e Canës për ta braktisur Marsejën për Sandërlendin këtë verë, pas firmosjes së marrëveshjes katërvjeçare, që përfshiu një transferë prej 5.8 milionë paundësh. Cana është duke fituar zemrat e admiruesve sa hap e mbyll sytë me mjeshtërinë e tij, së bashku me Li Katërmol. "Moti nuk është si në Francë këtu, por nuk është kjo gjëja më e rëndësishme", tha ish-lojtari i Marsejës, i cili flet një anglishte të rrjedhshme. "Gjëja më e rëndësishme është që të ndihem mirë dhe të luaj sa më mirë të mundem. Këtu ka një atmosferë të kënaqshme. Është shteti ideal për të ushtruar pasionin tënd, ndaj dhe unë zgjodha Sandërlendin për të vazhduar karrierën. Jam një mesfushor tipik. Po përpiqem të jem më i miri në këtë fushë dhe përpiqem gjithmonë të jap 300%. Unë luaj fort dhe kjo është arsyeja pse ndjej se Anglia do të më bëjë mirë, sepse këtu luhet fort dhe shpejt dhe unë zotëroj pikërisht këtë lloj loje. Pata një goxha zgjedhje për të bërë, sepse luajta në Francë shumë vite dhe më duhej të zgjidhja se ku dëshiroja ta vazhdoja karrierën. Sandërlendi m‘u duk interesant, kështu që unë vendosa shpejt. Përshtypja ime e parë ishte fantastike, stadium fantastik, fushë stërvitjeje fantastike, trajner fantastik dhe shokë skuadre fantastikë". Shqiptari 26-vjeçar dhe kolegët e tij do të përpiqen të mbajnë startin premtues në këtë sezon në Stouk këtë të shtunë. Ata e filluan sezonin me dy fitore në tre ndeshje, po kështu edhe fitorja bindëse 4-1 ndaj Noruiçit për Kupën Karling. Cana, i cili më parë ishte përfolur për një kalim të mundshëm tek Arsenali dhe Evertoni tha: "Di pak mbi vështirësitë e klubit në vitin që shkoi. Nuk mund të mendosh se diçka mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë, por ne do të përpiqemi të japim gjithçka që t‘u dhurojmë tifozëve emocione të forta. Unë e di si funksionon Champions League, sepse kam luajtur shumë herë ndaj skuadrave angleze si Çelsi apo Liverpuli. E njoh mirë nivelin anglez të lojës dhe mendoj se me menaxherin tonë të ri dhe me lojtarët e rinj do të përpiqemi të jemi mes dhjetë skuadrave më të mira këtë vit. Nuk mund të mendojmë për kreun e klasifikimit, por pse të mos jemi mes dhjetë më të mirëve dhe të mbahemi mend për lojën në kampionat? Është ekzaltuese për mua të luaj në një tjetër ligë, në një tjetër shtet dhe Sandërlendi në Angli është një fillim shumë i mirë. Kampionati anglez është më i miri në botë. Është mrekulli të luash çdo javë në stadiume fantastikë, por unë kam nevojë për të ndryshuar paksa pas gjithë atyre viteve në Francë me Paris Sen Zhërmenin dhe Marsejën".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›