E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanino tek Topi e Berisha: Reformat për integrimin kërkojnë dialog politik

TIRANË- "Dyert e Evropës vazhdojnë të mbeten të hapura për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por në fillim duhen përmbushur dhe plotësuar të dymbëdhjetë kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë plotësisht i merituar", deklaroi sot Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino gjatë takimit që zhvilloi me Presidentin Bamir Topi.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino takoi sot dhe kryeministrin Berisha, të cilin e e risiguroi atë se Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për tu anëtarësuar sa më shpejtë në BE.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se gjatë këtij takimi të sotëm, Sanino vuri në dukje se është detyra e klasës politike shqiptare, sidomos e udhëheqësve të saj kryesorë, që të nisin menjëherë dialogun konstruktiv institucional dhe të kryejnë reformat aq të nevojshme dhe jetësore për të ardhmen integruese të vendit.

Nga ana e tij, Presidenti Topi e vlerësoi këtë vizitë të zotit Sanino si një dëshmi e interesimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes së plotë që Bashkimi Evropian i jep vendit tonë me qëllim arritjen e standardeve integruese dhe realizimit të aspiratës sonë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Gjatë bashkëbisedimit, Topi nënvizoi faktin se anëtarësimi në BE, vijon të mbetet një aspiratë me interes kombëtar dhe përparësi madhore për Shqipërinë. Ai e cilësoi të domosdoshme që klasa politike shqiptare, të cilës i adresohet kryesisht dhe raporti i bërë publik disa ditë më parë, të arrijë të reflektojë seriozisht mbi rezultatet e tij dhe të dijë të shohë e t’i vlerësojë si një mundësi dhe shans sugjerimet e partnerëve tanë evropianë duke realizuar reformat e nevojshme në luftën kundër korrupsionit, për konsolidimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe për garantimin një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social për qytetarët e këtij vendi.
"Nevoja për një dialog konstruktiv dhe institucional nuk është më vetëm një kërkesë, por ajo duhet të tingëllojë tashmë si një kambanë alarmi për t’i rikujtuar klasës politike shqiptare angazhimin e marrë përpara votuesve shqiptarë, përgjegjësinë për të mos humbur më kohë në arritjen e një misioni historik, atë të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe faktin se vetëm bashkëpunimi dhe dialogu politik janë një ndër shtyllat bazë për një demokraci funksionale",u shpreh kreu i shtetit.

Berisha-Saninos: Disa ligje që të votohen kërkojnë shumicë të cilësuar
Edhe Kryeministri Berisha priti sot në një takim zotin Stefano Sannino, Drejtorin e Përgjithshëm te Drejtorisë për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino dhe delegacionin që e shoqëronte. Kryeministri Berisha falënderoi Komisionin Evropian dhe vendet anëtarë të BE-së për mbështetjen dhe ndihmën bujare që i kanë ofruar Shqipërisë gjatë njëzet viteve të fundit, e cila e klasifikon atë edhe si donatorin më të madh ndaj vendit tonë.

Nga ana e tij, Sannino e risiguroi atë se KE dhe BE do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për tu anëtarësuar sa më shpejtë në BE.

Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha ritheksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i shqiptarëve dhe se qeveria shqiptare duke e konsideruar këtë si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë është plotësisht e angazhuar të punojë për të realizuar të gjitha reformat, si dhe për të plotësuar të gjitha standardet që kërkon ky proces, në veçanti për të adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian në progres raportet për Shqipërinë.

Ai nënvizoi se ashtu si edhe më parë, qeveria shqiptare i konsideron ato si programin më serioz të punës së saj.

Kryeministri Berisha i bëri një ekspoze arritjeve të rëndësishme të qeverisë shqiptarë në shumë fusha, të cilat evidentohen edhe në raport. Fusha si ajo e arsimit, shëndetit publik, luftës kundër krimit, realizimit të infrastrukturave të rëndësishme në vend, turizmi, etj., u vlerësuan si sektorë ku përparime të rëndësishme janë shënuar dhe po vijon të shënohen.

Në takim u theksua se e rëndësishme në këtë moment është që të shikohet përpara drejt hapave të mëtejshëm për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, reforma zgjedhore dhe ajo e rregullores së Parlamentit si dhe adresimi i rekomandimeve të Komisionit Evropian janë aspekte të rëndësishme ku duhet përqendruar vëmendja e të gjithë aktorëve politikë që këto procese kërkojnë. Kryeministri theksoi se është në interesin e të gjitha forcave politike, por në mënyrë të veçantë të qytetarëve shqiptarë që të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të votohen me konsensus.

Sannino e falënderoi Kryeministrin Berisha për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë transparence e të hapur me opozitën për çuarjen përpara të këtyre proceseve shumë të rëndësishëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino shoqërohej në këtë takim edhe nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›