E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët shqiptarë, mundësi studimi në Francë

TIRANË- Të studiosh në Francë është më pranë realitetit, madje edhe me financat e shpenzimeve të marra përsipër nga shteti francez.
Një sallon i studimit apo ndryshe një panair informativ rajonal “Ku dhe si të studiosh në Francë”, do të zhvillohet gjatë mesditës së të dielës më 23 tetor deri pasdite vonë, në Hotel “Sheraton”, nën përkujdesjen e Ambasadës Franceze në Tiranë e pjesëmarrjen e Agjencisë Universitare të Frankofonisë.
Një listë e gjatë e universiteteve më të mirënjohura franceze të përfaqësuara nga drejtuesit e tyre, pritet të kooperojnë me universitetet shqiptare e hapur edhe për ata nxënës që dëshirojnë të ndjekin studimet në Francë, duke e shndërruar kësisoj në një ditë informuese për studentët, nga mundësitë e studimit e deri te financimi i studimeve të tyre gjatë vitit akademik 2012/2013.

"Pas Bullgarisë e Maqedonisë, salloni rajonal udhëtues i cili organizohet gati në gjithë Ballkanin, do të ketë edhe një ndalesë në Shqipëri. Aktualisht në Francë ka 600 studentë shqiptarë, ndërsa çdo vit rritet me 3% kjo kuotë, duke treguar kësisoj një interes të madh për studimet e sistemin shkollor francez. Vetë Ambasada Franceze jep gati 50 % të buxhetit të saj për studentët më të mirë shqiptarë, ndërsa degët janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga artet e bukura, drejtësia, inxhinieria etj", ka bërë të ditur gjatë një interviste për ATSH-në, Përgjegjësi i Kooperimit dhe Kulturës në Ambasadën Franceze në Tiranë, Hubert le Forestier de Quillien.
Le Forestier ka shtuar se "disa universitete franceze njohin e marrin parasysh diplomat e universiteteve shqiptare, si ato të Universitetit Politeknik të Tiranës me atë të Bordeux IV, njëherazi një diplomë shqiptare e njohur edhe në Francë. Po ashtu, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me Universitetin “Blaise Pascal” dhe atë të Strasburgut, si dhe ai i Inxhinierisë së Ndërtimit me shkollën ESTP në Paris".
Shkolla e Lartë Tregtare, tejet e njohur në Francë në fushën e ekonomisë dhe biznesit si dhe Instituti i Shkencave Politike i Parisit, me një sërë degësh, do të prezantojnë statusin e tyre akademik si një vitrinë për të ardhur e studiuar në Francë.
Sipas Le Forestier, "ata të cilët, nuk do të kenë mundësi për të ardhur ditën e diel, mund të drejtohen në Aleancat Franceze në rrethe apo në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë".
Ditët udhëtuese studentore 2011, organizohen nga Ambasada e Francës në Shqipëri, Instituti Francez i Bullgarisë, Instituti Francez i Shkupit, Instituti Francez i Serbisë me pjesëmarrjen e Agjencisë CampusFrance, Paris.
Franca është vendi i gjashtë pritës për studentët shqiptarë. Shumë prej tyre janë me bursë nga Ambasada e Francës në Shqipëri apo nga Agjencia Universitare e Frankofonisë.
E themeluar në Montreal në vitin 1961, Agjencia Universitare e Frankofonisë (AUF) është një organizatë ndërkombëtare, me Zyrë Rajonale në Evropën Qendrore në Bukuresht të Rumanisë, e cila ka si mision kryesor mbështetjen e arsimit të lartë dhe kërkimet në gjuhën frënge.
Agjencia AUF ka nën vete një rrjet prej 780 universitetesh dhe institucionesh kërkimore të shtrira në 81 vende të ndryshme të botës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›