Zv.ambasadorja e OSBE-së: “Korrupsioni në Shqipëri, imazh i keq për investitorët e huaj”
Korrupsioni mbetet ende shkaktari kryesor që prish imazhin e Shqipërisë në botë dhe pengon reformat e vendit për aderimin në BE. Zëvendësambasadorja e OSBE-së, Renata Hermans, në një takim dje në Tiranë, me temë “Parandalimi i konfliktit të interesit”, deklaroi se korrupsioni në Shqipëri është ende problem dhe se ky fakt ul interesin e investitorëve të huaj. Hermans nënvizoi se korrupsioni e frenon zhvillimin ekonomik të këtij vendi dhe se ai vepron si një pengesë për investitorët e mundshëm, prezanton një imazh negativ për vendin jashtë shtetit, i largon fondet nga programe të rëndësishme të asistencës sociale dhe dënon me varfëri shtresat më të dobëta të shoqërisë. Sipas saj, fenomeni i korrupsionit në Shqipëri u evidentua qartë dhe në raportin e TIA-s, (Transparency International of Albania).
Ky takim u organizua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Organizata për Sigurim e Bashkimit Europian (OSBE). Gjatë takimit u shpërndanë më pas certifikatat e trajnimit për parandalimin e konfliktit të interesit. Certifikata morën rreth 600 zyrtarë të administratës publike të trajnuar. I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, që theksoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet i qeverisë. Sipas tij, kjo dëshmohet me faktin se kemi rritur numri i padive penale ndaj kujtdo që ka bërë korrupsion.
Korrupsioni
Zv.ambasadorja e OSBE-së u është referuar disa raporteve ndërkombëtare të kohëve të fundit, si Indeksi i vitit 2009 i Transparency International për Perceptimin e Korrupsionit, të cilat tregojnë se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. “Shqipëria ka ndërmarrë masa të guximshme kundër korrupsionit kohët e fundit, si miratimi i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën Kundër Korrupsionit dhe për Qeverisje Transparente në tetor 2008; dhe që prej dhjetorit 2007 ka futur në përdorim procedura elektronike për tatimet, prokurimet publike, licencimet dhe regjistrimin e bizneseve”, - u shpreh zv.ambasadorja. Në këtë kuadër, Hermans nënvizoi se rëndësia e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe atij privat në luftën kundër korrupsionit duhet të ritheksohet, pasi zbatimi i efektshëm i legjislacionit kërkon bashkëpunim midis shtetit dhe aktorëve të shoqërisë civile. “Do të ishte një zhgënjim i madh nëse gjithë ky zhvillim i madh social, ekonomik dhe politik që ka bërë Shqipëria në procesin e reformave të çalonte për shkak të mosecjes përpara në fushën e adresimit të korrupsionit”, - tha Hermans.
Certifikatat
Gjatë takimit, zv.ambasadorja e OSBE-së ka përshëndetur ceremoninë e dorëzimit të certifikatave për zyrtarët publikë që kanë marrë asistencë për zbatimin e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesit”. Duhet të përmend bashkëpunimin që kemi pasur me Inspektoratin e Lartë për rritjen e ndërgjegjësimit mes zyrtarëve publikë mbi parandalimin dhe shmangien e situatave që përbëjnë konflikt interesi. Hermans bëri të ditur se në vitin 2009 u trajnuan rreth 600 zyrtarë publikë nga një gamë e gjerë ministrish.
Ajo vuri në dukje se në këtë aspekt, OSBE-ja i ka mbështetur institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile në nxitjen e parimeve dhe qasjeve të mirëqeverisjes si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor. “Përgëzoj inspektorin e lartë për përpjekjet dhe arritjet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në luftën kundër konfliktit të interesit në administratën publike. Mbështetja për qeverinë në luftën kundër korrupsionit shprehet qartë në mandatin e Prezencës”, - u shpreh Hermans.
3 Mars 2010