Santorum ngadhënjen në Kansas

Kryesuesi i kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale, Mitt Romney, nuk ka bërë fushatë në Kansas, ndërsa rivali tjetër, Newt Gingrich, ka anuluar udhëtimin e planifikuar në këtë shtet, për t’u koncentruar në zgjedhjet e ardhshme në Alabama dhe Missisipi.
Gara e republikanëve për t’u bërë sfidues të presidentit Barack Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, mund të arrijë në luftën ndërmjet Santorumit dhe Romneyt.
Fitoret eventuale të Santorumit në Alabama dhe Missisipi mund të përjashtojnë Gingrichin, ndërkohë që në garë vazhdon të jetë edhe Ron Paul.
Duke luftuar për Shtëpinë e Bardhë, tani në Oqeanin Paqësor, Romney ka mbledhur delegatë të tjerë gjatë fundjavës.
Ai ka fituar të nëntë delegatët në territorin Guam dhe nëntë të tjerë në Ishujt Mariana – afro 13.000 kilometra larg Washingtonit.
Kandidatët duhet të fitojnë 1.144 delegatë, për të arritur nominimin presidencial në konventën kombëtare të partisë, që do të mbahet në Tampa të Floridës, në muajin gusht.
Romney, tash për tash, kryeson me më shumë se 400 delegatë.