E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga trafikantit shqiptar, iu gjetën 27 kg kokainë



FIRENCE- Një shqiptar, sipërmarrës në Itali, është arrestuar dy ditë më parë nga Guardia di Financa e Firences pasi iu sekuestruan plot 27 kilogramë kokainë. Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është arrestuar teksa po ecte në rrugë dhe në dorë mbante një qese prej letre, ku kishte fshehur 1 kilogram kokainë. Pyetjes së forcave të policisë se çfarë kishte në çantë, shqiptari i ishte përgjigjur se kishte ushqim për fëmijë, por pas kontrollit policia konstatoi se në çantë ishte fshehur drogë. Më pas Guardia di Financa ka ushtruar kontroll në banesë, ku sekuestroi dhe 26 kilogramë kokainë tjetër. Droga ishte fshehur në 3 valixhe. Sipas analizave teknike, kokaina ishte e një cilësie të lartë në treg. Nga shitja e saj, sipas policisë, shqiptari do të përfitonte më shumë se 1.5 milionë euro. Droga ishte destinuar për t’u shitur në tregun e Toskanës, në Itali.

Grinden për celularin, vret shokun me dërrasë

TIRANË- Është qëlluar për vdekje me dërrasë pas kokës nga shoku i tij vetëm për një celular. Sipas policisë, ky ka qenë motivi i vrasjes së 25-vjeçarit Dritan Bekteshi, trupi i të cilit u gjet dje në mëngjes në Bregun e Lumit pranë vendit të quajtur “Ura e Qerosës”, në Tiranë. Brenda 10 orëve, pasi u kryen veprimet hetimore që identifikuan viktimën, zbardhën veprimet e fundit të tij dhe konfliktet e mundshme, policia e Tiranës arrestoi Gentian Manushajn, 25 vjeç, shok me viktimën, si autor të vrasjes. Sipas burimeve policore, autori dhe viktima ishin së bashku mbrëmjen e së mërkurës. Kanë pirë dhe në gjendje të dehur janë grindur për shkak të një celulari. Ndërsa në momentin kur Bekteshi ishte shkëputur për të kryer nevojat personale, Manushaj i është afruar dhe e ka qëlluar tri herë me një dërrasë pas kokës. Për pasojë ka humbur ndjenjat dhe ka vdekur Manushaj. Hetimi për zbulimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit, rezultoi i vështirë për policinë. Vendi ku kishte ndodhur krimi, frekuentohej nga përdorues të drogës e endacakë dhe dyshimet e para ishin për një krim nën efektin e drogave.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›