E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i avokatëve, reagon për letrën e Nishanit



Tiranë - Kryepolici i Rrugores, Krenar Ahmetaj, ka futur në konflikt pushtetin gjyqësor me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Forumi i Avokatëve për Drejtësi reagoi dje ashpër ndaj letrës së ministrit të Brendshëm Bujar Nishani drejtuar gjyqtares së çështjes ndaj shefit të Rrugores, Krenar Ahmetaj. Avokatët e kanë akuzuar Nishanin se po ndërhyn në drejtësi duke shkelur pavarësinë e saj. Sipas nënkryetarit të Forumit të Avokatëve për Drejtësi, Përparim Rama, ky është një rast ekstrem dhe flagrant i ndërhyrjes në pushtetin gjyqësor. “Po cenohet pavarësia e Gjyqësorit”, - tha Përparim Rama, duke e cilësuar veprimin e ministrit si një akt të paligjshëm. “Reagimi i këtij funksionari të lartë të dikasterit të Ministrisë së Brendshme është një qëndrim haptazi antiligjor, që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve që konkretizohet në nenin 7 të Kushtetutës”, - theksoi Përparim Rama. Në përfundim të deklaratës së tij nënsekretari i Forumit të Avokatëve ka deklaruar se ky është një rast i pastër që dëshmon se pavarësia e Gjyqësorit cenohet rëndë nga ndërhyrjet e padrejta duke shkelur liritë dhe të drejtat e personave të dëmtuar nga veprimtaria e paligjshme e këtyre funksionarëve. Letra e ministrit të Brendshëm mbërriti në Gjykatën e Tiranës posaçërisht për gjyqtaren e çështjes.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›