E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, provë nga Anglia për të mbajtur në qeli Ben Qimen

Gjykata i jep 45 ditë afat Akuzës për të sjellë prova të reja. Pas vendimit të djeshëm, Isufaj u kthye në qelitë e paraburgimit

Laureta Rryçi

Tiranë - Prova që pritet të vijë nga Londra duket se është AS-i nën mëngë i prokurorisë për të mbajtur Arben Isufajn brenda qelisë. Por derisa të mbërrijë prova, i arrestuari duhet të qëndrojë për disa ditë në qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës kërkon më shumë prova për të pranuar akuzat e prokurorisë për Arben Isufajn. Gjatë masës së sigurisë për të arrestuarin që njihet ndryshe dhe me nofkën “Ben Qimja”, gjyqtarja e gatshme i la 45 ditë afat institucionit të Akuzës për të sjellë provat që pretendojnë të kenë shumë shpejt. 39-vjeçari nga Fieri u arrestua tri ditë më parë nga forcat policore të kryeqytetit. Mirëpo arrestimi i tij solli shumë polemika për shkak se për të njëjtën çështje Gjykata e Lartë e kishte pushuar çështjen për mungesë provash.
Masa e sigurisë
Burg me afat 45 ditë është masa e sigurisë që u dha dje për të njohurin si Ben Qimja i Fierit, i cili u arrestua tri ditë më parë në një operacion special të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Brenda këtij afati të ri kohor që vendosi sot gjykata, 45 ditë burg, prokuroria pritet të ketë në dispozicion provat që fajësojnë 39-vjeçarin për vrasjen e ndodhur 6 vite më parë. Prokuroria pritet të marrë në dorë përgjigjen zyrtare nga Laboratori i Kriminalistikës në Londër, i cili ka kryer akt ekspertimi daktilografik të gishtave të gjetur në armën e vrasjes së Pirro Koçiut në vitin 2002.
Ngjarja
39-vjeçari akuzohet për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, ngjarje kjo e ndodhur më datë 12 gusht të vitit 2002, në rrugën "Him Kolli" në Tiranë. "Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 13 shkurt 2008, vendosi masën e sigurisë 'arrest në burg' për konsumim të veprave penale të 'vrasjes me paramendim' në bashkëpunim si dhe 'mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”. Por për vrasjen e Pirro Koçiut ekziston dhe një vendim tjetër i Gjykatës së Lartë, që rrëzon akuzat ndaj Arben Isufajt. Vendim i përket muajit tetor të vitit 2006. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, Arben Isufaj nuk akuzohej më për këtë vrasje duke qenë se vendimi mori formën e prerë.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›