E Diel, 1 Nëntor 2026

“Konteinieri i dyshimtë”, Prokuroria ngre tri akuza për të pandehurit



TIRANË - Dy personat që u arrestuan një ditë më parë në Tiranë gjatë operacionit “Konteinieri i dyshimtë” do të hetohen nga Prokuroria për “shpërdorim të detyre”, “kontrabandë nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim. Kjo u bë e ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat konfirmuan nisjen e hetimeve ndaj dy të pandehurve të këtij operacioni policor.
Shtetasit Klodian Bali, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë doganier pranë Doganës së Tiranës dhe Agustin Qefalia, 56 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, biznesmen, u arrestuan mbrëmjen e së enjtes nga forcat e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Sipas të dhënave hetimore, doganieri Klodian Bali dyshohet se ka shmangur nga detyrimi doganor subjektin privat në pronësi të shtetasit Agustin Qefalia. Ky i fundit ka transportuar për në Tiranë një konteinier me mallra industriale që vinte nga Kina dhe më pas ka realizuar falsifikimin e dokumentacionit origjinal të mallit me qëllim përfitimi. Nga hetimet rezulton se subjekti nuk ka zhdoganuar të gjithë sasinë e mallit, duke u shmangur nga detyrimi doganor me një vlerë prej 150 000 lekësh. Me cilësinë e provës materiale policia sekuestroi mallin industrial.

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›