Jorgo Kaçani zgjidhet në krye të Konferencës së Rektorëve
Jonida Tashi
Rektori i Universitetit Politeknik në Tiranë, Jorgo Kaçani, është zgjedhur kryetar i Konferencës së Rektorëve. Pas një votimi të 31 rektorëve të universiteteve publike dhe private, rektori i Universitetit Politeknik ka siguruar 19 vota kundrejt kandidaturave të tjera. Kreu i Arsimit Genc Pollo, ka qenë i pranishëm gjatë procesit të votimit. Ministri Pollo gjatë fjalës së tij ka kërkuar bashkëpunim me këtë organ arsimor, ndërkohë që ju ka tërhequr sërish vëmendjen drejtuesve të arsimit që të zbatojnë me përpikmëri rregulloret e vendosura. Konferenca e Rektorëve do të mblidhet sërisht pas një jave për të zgjedhur anëtarët e tjerë drejtues. Ndërkohë që propozimi i Jorgo Kaçanit për nënkryetarin e Konferencës së Rektorëve është që ai të jetë një rektor i një universiteti privat.
Statuti
Statuti i Konferencës së Rektorëve, ka mbledhur dje bashkë drejtuesit e 12 universiteteve publike dhe 19 universiteteve private në vend. Në këtë mbledhje të parë të Konferencës së Rektorëve është diskutuar ndër të tjera edhe për hartimin e një statuti të ri të këtij organi, në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, dekretuar nga Presidenti i Republikës në maj të vitit të kaluar. Statuti aktual sipas statutit në fuqi, i miratuar nga ish-ministri i Arsimit në 27 nëntor 2003, Konferenca e Rektorëve përbëhet nga rektorët e universiteteve (me ligjin e ri Institucionet e Arsimit të Lartë, IAL) publike dhe private nën juridiksionin e MASH. Ky organ ka në përbërje të tij edhe një anëtar, përfaqësues i MASH, i autorizuar nga ministri. Organi kolegjial autonom i Konferencës së Rektorëve përfaqësohet nga kryetari i saj. Zgjedhja e kryetarit dhe kompentacat e Konferencës burojnë nga ligji i Arsimit të Lartë dhe caktohen nga ky statut. Në Konferencën e Rektorëve, çdo IAL përfaqësohet nga rektori ose drejtuesi përkatës.
Asambleja
Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga të gjithë anëtarët e Konferencës së Rektorëve. Ajo thirret nga Kryetari i Konferencës së Rektorëve, si rregull një herë në tre muaj. Njoftimi përkatës u bëhet anëtarëve të paktën një javë më parë, shoqëruar me rendin e ditës dhe materialet për diskutim. Mbledhja e Asamblesë është e rregullt kur në të marrin pjesë të paktën 2/3 e anëtarëve. Asambleja e përgjithshme mund të mblidhet në takim të paplanifikuar, kur kërkohet nga 1/3 e anëtarëve ose kryetari i saj. Ndërsa kryetari i Konferencës së Rektorëve është përfaqësuesi i saj në veprimtaritë që parashikon ligji. Ai zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme për një periudhë njëvjecare. Kandidaturat propozohen nga anëtarët e Konferencës dhe vendimi merret me 2/3 e votave të fshehta të anëtarëve të pranishëm. Nëse asnjë nga kandidaturat nuk arrin numrin e nevojshëm, votohet për herë të dytë për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota dhe vendimi mbetet i vlefshëm me shumicën e thjeshtë. Komisioni i votimit përbëhet nga tre anëtarë të Konferencës të votuar me shumicë të thjeshtë dhe me votim të hapur.
14 Qershor 2008