E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita cakton përfaqësinë për takimin me Moisiun

29/03/2005  Brenda këtyre ditëve një përfaqësi e deputetëve të opozitës do të paraqitet në zyrën e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, për t'i kërkuar zyrtarisht afrimin e datës së zgjedhjeve. Burimet shprehen se në përfaqësi do të jenë kryetarët e Grupeve parlamentare të partive pjesëmarrëse në tryezën e organizuar nga PD-ja për këtë qëllim pak ditë më parë. Partitë e opozitës, pavarësisht divergjencave mes tyre, duket se, lidhur me datën e zgjedhjeve, kanë qenë në një qëndrim të përbashkët se ato nuk mund të zhvillohen në muajin korrik, për shkak të sezonit turistik. Në tryezën e organizuar për këtë qëllim u vendos që kërkesa për afrimin e datës së zgjedhjeve, më 26 qershor, do t'i shkojë edhe PS-së. Menjëherë pas publikimit të këtij qëndrimi, selia rozë ka hedhur poshtë çdo alternativë tjetër për datën e zgjedhjeve, përveç asaj të përcaktuar me Kushtetutë. Nga ana e tyre, demokratët dhe partitë e tjera të opozitës janë të mendimit se zhvillimi i zgjedhjeve më 3 korrik do të cënonte integritetin e zgjedhjeve për shkak të pushimeve, por do të ishte dhe një humbje e madhe për turizmin shqiptar. Për afrimin e datës së zgjedhjeve janë shprehur pozitivisht jo vetëm partitë e opozitës, por edhe socialdemokratët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›