Kujtohet teto Ollga
Është përkujtuar mesditën e djeshme në ambientet e Bibliotekës Publike të qytetit të Fierit jeta dhe veprimtaria skenike e “Artistes së Popullit” Violeta Manushi. Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, në bashkëpunim me Teatrin “Bylis” dhe Bashkinë e Fierit, kanë organizuar veprimtarinë “Homazhe artistes së madhe Violeta Manushi”, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta. Merrnin pjesë intelektualë, artistë, aktore të trupës së teatrit të Fierit, artdashës, drejtuesit e pushtetit lokal, si dhe deputetja Rajmonda Stefa. Diskutantët në fjalën-homazh për artisten e madhe Manushi shpalosën vlerat e pavdekshme të kryezonjës së skenës, gruas legjendë që diti të thyejë mentalitetin e kohës dhe të zërë vend ndër yjet e skenës shqiptare. Prej një viti publikut të gjerë i mungon aktorja e më se 110 roleve në skenën e teatrit dhe 16 roleve në kinematogafi (filma), thanë të pranishmit. Aktorja Drita Pelingu, mes dhimbjes dhe lotëve, do të sillte të freskëta kujtime dhe mbresa nga jeta e artistes së madhe. “Ajo ishte një artiste e lindur”, - u shpreh Pelingu. Tek ajo gjithçka ishte e përkryer, që nga mendimi, shprehja, fytyra, buzëqeshja, interpretimi, shpirti, gjithçka, gjithçka”. “U ngjit në skenë në moshën 20-vjeç dhe për rreth 60 vjet u bë pjesë e skenës, u shkri me skenën". "Teatri u bë për të gjithçka. Ajo i kushtoj skenës gjithë kontributet e jetës së saj dhe skena e ktheu në pavdekësi", - u shpreh aktorja fierake, Hajrie Rondo. Në veprimtarinë homazh, ku përshëndeti dhe kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqo, u dhanë sekuenca filmike nga loja e saj dhe u recituan poezi. Gjithashtu, u krijua dega e fondacionit “Violeta Manushi” për qytetin e Fierit.