E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet një varr antik në Ksamil

Një varr monumental që mendohet se i përket antikitetit, është zbuluar mbrëmjen e djeshme në qytezën e turistike të Ksamilit, rreth 13 kilometra larg qytetit jugor të Sarandës. "Varri monumental është zbuluar rastësisht nga një banor i qytezës së Ksamilit, në momentin që ai po hapte themelet e një ndërtese të re", - tha Dhimitër Çondi, drejtor i Muzeumit të Butrintit, njëherazi arkeologu i njohur në jug të vendit. Specialistët e monumenteve të kulturës, të informuar për këtë rast, kanë izoluar vendin dhe nuk kanë lejuar asnjë makineri të punonte në objektin e lashtë. Arkeologu Çondi nënvizoi se varri antik mendohet se i përket fundit të periudhës helenistike dhe fillimit të periudhës romake. Gjithsesi shtoi ai "është ende herët të jap një version zyrtar për sa i përket objektit të sapozbuluar. Sot pritet të mbërrijnë disa specialistë të mirëfilltë për të përcaktuar saktë objektin monumental".

Enver Petrovci, regjisor në “Bylis”

"Kush e ka fajin që jam shqiptar" titullohet premiera që do të vihet në skenë së shpejti nga trupa e teatrit "Bylis" në Fier, me regji të aktorit të madh kosovar Enver Petrovci, në të njëjtën kohë edhe autori i kësaj pjese. Trupa e teatrit të Fierit është aktualisht në fazën e provave për vënien në skenë të kësaj premiere, e cila do të shfaqet në skenën e teatrit "Bylis" dhe në amfiteatrin e qytetit antik të "Apollonisë". Regjisori Petrovci tha se "ka një komunikim, mirëkuptim dhe bashkëpunim të shkëlqyer mes aktorëve dhe gjithë stafit realizues". Në rolet kryesore janë angazhuar aktorë të njohur fierakë që dinë ta zotërojnë skenën, të përcjellin mesazhe dhe emocione artistike me publikun, ndër të cilët përmenden Fatmir Xhelili e Klajdi Marku.

Kjo vepër e shkruar nga Petrovci në vitin 1994 ka në qendër jetën e një artisti të madh kosovar. Ai braktisi vendet e mëdha dhe të zhurmshme, ku e priste karriera dhe kthehet në provincën e tij. Fillimisht ai pritet me madhështi, për t'u përballur më pas me problematikën e shumtë provinciale. "Ngjarja merr spunto në Kosovë, por ajo është aktuale për popujt e Ballkanit", - pohon Petrovci, për të cilin ky është bashkëpunimi i parë me një trupë shqiptare, suksesi i të cilit do të vulosë kontrata të tjera bashkëpunimi. "Më ka tërhequr qyteti i Fierit si një qytet artdashës, trupa e tij teatrale e mrekullueshme", - vijon Petrovci, ndërsa vlerëson kontributin e bashkisë për financimin projekteve kulturore, siç është festivali mbarëkombëtar i aktrimit tashmë i kthyer në traditë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›