Shpërngulja e qeverisë së Tiranës, Berisha në zyrën e kryebashkiakut
SHKODER - Këshilli i Ministrave zhvendoset nga godina e kryeministrisë në bashkinë e Shkodrës. Pikërisht në rajonin e përmbytur prej plot 12 ditësh, aty ku ka ngecur kryefjala e çdo lajmi dhe vendimi në rang vendi. Për këtë arsye, Berisha ka urdhëruar stafin e tij që të shpërngulet përkohësisht në Shkodër. Në fakt, pjesa më e madhe e anëtarëve të kabinetit "banojnë" në veri të vendit, pasi janë caktuar si drejtues të shtabeve të inspektimit në zonat më problematike. Ka zhvilluar mbledhjen e radhës në Bashkinë e qytetit të Shkodrës. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Gardës kanë marrë nën "kontroll" Bashkinë e Shkodrës, pasi për herë të parë në historinë e kësaj bashkie zhvillohej një mbledhje me të gjithë anëtarët e kabinetit të qeverisë. Mobilizimi i administratës ka qenë maksimal për të organizuar një pritje në nivel qeveritar, takim ky që i kalonte përmasat e një mbledhjeje të zakonshme që kryeministri Berisha ka zhvilluar këto ditë të fundit në Shkodër. Kreu i qeverisë ka mbërritur në Shkodër me helikopter, i cili është ulur në stadiumin "Loro Boriçi" rreth orës 12:15, ndërsa në godinën e bashkisë, pikërisht në zyrën e kryetarit të saj ku ishte caktuar mbledhja, ka hyrë pas 15 minutash. Pas tij kanë hyrë njëri pas tjetrit ministrat. E para ndër ta ishte Majlinda Bregu, ndërkohë që pas saj kanë mbërritur ministrat e terrenit në Shkodër: Basha, Imami, Olldashi, etj. I fundit që ka mbërritur në Bashkinë e Shkodrës nga ministrat ka qenë ai i Financave, Ridvan Bode. Më vonë ka shkuar në mbledhje dhe zv.kryeministri Meta, i cili sapo kishte përfunduar takimin me homologun e tij maqedonas. Për këtë arsye mbledhja ka nisur me rreth 15 minuta vonesë. Të pranishëm në mbledhje ishin të gjithë ministrat, veç atij të Arsimit, i cili përfaqësohej nga zv/minsitri i Arsimit Halit Shamata. Zyra e protokollit të Kryeministrisë ishte kujdesur që kjo mbledhje të kishte të njëjtin protokoll si të gjitha mbledhjet që zhvillohen në Tiranë, duke filluar që nga stema e Këshillit të Ministrave, flamujve të Shqipërisë, të BE-së dhe NATO-s, si dhe të zyrës së shtypit dhe të prapavijës ku bënin pjesë tekniku i fonisë, përfaqësuesit e zyrës së shtypit, stenografistët, etj. Fjalën e hapjes të kësaj mbledhjeje të parë në Shkodër e ka bërë vetë kryeministri Berisha, i cili deklaroi se shkaku ishte pikërisht situata e rëndë e përmbytjes. r.d