E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti 35 milionë tek firma “Rryta”, dënohet me 13 vjet burg

05/02/2009  Dënimi për Alfred Xhepën, i kapur nga shenjat e gishtave

TIRANË Deklarohet fajtor nga gjykata e Tiranës, i pandehuri Afred Xhepa dhe dënohet në përfundim të gjykimit me 13 vjet burg. Vendimi u dha dje në mesditë nga gjyqtari Altin Abdiu, pas shqyrtimit të të gjitha provave të paraqitura nga ana e akuzës. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, Alfred Xhepa 26 vjeç grabiti me armë 35 milionë lekë të reja, pasuri e firmës “ Rryta”. Këtë shifër të grabitur e ka deklaruar pronari i firmës Shkëlqim Rryta. Nga grabitja e kësaj shume, mbetën të plagosur dy rojet e magazinave të firmës "Rryta", pronar i së cilës është Shkëlqim Rryta. Ngjarja për të cilën u dënua dje Xhepa, ka ndodhur më 14 shkurt të vitit 2004, kur së paku dy persona të maskuar dhe të armatosur hynë në ambientet e magazinave të Shkëlqim Rrytës dhe morën prej andej një shumë që prej pronarit u pretendua në shifrën e 35 milionë lekëve të reja, ndërsa policia pretendonte një shifër 7 herë më pak. Hetimi për këtë ngjarje vazhdoi për më tepër se tre vjet. Kanë qenë gjurmët e gishtave ato që zbuluan autorin e ngjarjes. Megjithatë, gjatë gjithë kohës kur u shqyrtua çështja, i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën. Që në fillim Prokuroria deklaroi se autori është Alfred Xhepa dhe se në bazë të ligjit duhet të deklarohet fajtor e të dënohet me 13 vjet burg.

Në seancë gjyqësore dhanë dëshminë e tyre edhe dy rojet e firmës, të cilët mbetën të plagosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›