Durrës, pesëfishohet puna në dy muaj
Në portin më të madh të vendit, në dy muajt e fundit është pesëfishuar puna, e parë kjo nga këndvështrimi i rritjes së volumit të punës tek bizneset e ndryshme. Subjektet private shprehen se “interesat tona janë të lidhura me mbarëvajtjen e punëve në portin detar, me sigurinë, taksat e ulëta dhe investimet e bëra në vitet e fundit”. Duket se pas një periudhe të shkurtër qetësie, është ndjerë një përmirësim i ndjeshëm i bizneseve të lidhura me hyrjen e daljen e anijeve, kryesisht atyre të eksport-importeve të mallrave.
Sipas drejtorit të Autoritetit Portual Durrës (APD), Eduart Ndreu, “gjatë këtyre ditëve në kalatat e portit janë ankoruar dhjetëra anije mallrash, të cilat kanë shkarkuar kryesisht drithëra buke dhe materiale për sektorin e ndërtimit. Një situatë e tillë ka bërë që të rriten edhe treguesit ekonomikë, të cilët duket se janë rreth 20 për qind më të ulët sesa planifikimi për muajin e parë të këtij viti”. Ndreu tha se “gjatë 10 ditëve të fundit, në port kanë hyrë dhe janë përpunuar 12 anije tregtare të tonazheve të ndryshme. Ata kanë sjellë nga importi grurë, miell, çimento dhe lëndë të tjera ndërtimi, si dhe mallra ushqimore, që në gjuhën e portit quhen mikse. Janë rreth 45 mijë tonelata mallra, të cilat duke iu bashkuar shumatorit të ditëve të shkuara të janarit bënë që treguesit financiarë të APD dhe ato të doganës të përmirësohen”.
Porti është shoqëri anonime me kapitale shtetërore dhe të ardhurat i grumbullon nëpërmjet taksave dhe tarifave portuale, pjesa më e madhe e të cilave gjithashtu përfundon në arkën e shtetit.
Punëtorë të ngarkim-shkarkimit shprehen se “puna ka nisur të rritet, sidomos gjatë gjysmës së parë të janarit dhe 10 ditëve të fundit, kalatat janë të mbushura me anije tregtare”. Burime nga porti thanë se plani është realizuar në masën 90 për qind dhe mungesa prej 10 për qind, sipas tyre, është pasojë e krizës globale.
Situata më e fundit i ka bërë bizneset optimiste, pasi sipas zyrtarëve të portit, “kjo është faza kur tregtarët grosistë lidhin kontratat vjetore me partnerët e huaj”. Gjithçka në mbarëvajtjen e portit varet prej tyre. Specialistët portualë parashikojnë treg shitje të mirë, çka do të thotë punë për agjencitë detare, për kamionistët, për grupet e ngarkim-shkarkimit, si dhe për të gjithë rrjetin tregtar të lidhur me portin kryesor të vendit.
Sipas të dhënave, rezulton se deri 40 për qind e importeve në shkallë vendi realizohen nga porti i Durrësit. Dogana që ndodhet në port e mbush arkën e shtetit mesatarisht me rreth 350 milionë dollarë në vit, ndërsa porti vetë 150 milionë dollarë në vit, vlera të cilat pritet të rriten për vitin 2009.