E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet motori në autostradë, plagoset pasagjeri

TIRANE - Plagoset rëndë pasagjeri i motoçikletës, policia arreston drejtuesin e motorrit pas aksidentit në autostradën Tiranë-Durrës. 

Ngjarja ndodhi gjatë natës së dielë duke u gdhirë dita e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, pranë segmentit të mbikalimit Kamzës. Dritan Doçi, 29 vjeç, ka qenë duke udhëtuar me motoçikletën e markës “Lincon”, bashkë me Kadri Peposhoin, nga Durrësi, ndërsa mjeti i tyre ka rrëshqitur në rrugë. Sipas policisë, Doçi, ka humbur kontrollin pasi ka qenë duke ecur me shpejtësi dhe është përplasur me trafik ndarësin e rrugës. Nga kjo përplasje, pasagjeri që udhëtonte me të, Kadri Peposhi, ka mbetur i plagosur rëndë, pasi sipas policisë ka marrë plagë në kokë dhe dëmtime me thyerje në disa pjesë të trupit. Vetë drejtuesi i mjetit sipas policisë ka marrë dëmtime të lehta, por pa probleme serioze për jetën. I plagosuri, është dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku i është dhënë me urgjencë ndihma e parë. Ndërkaq, mjekët pasi kanë kryer ekzaminimet e nevojshme kanë gjetur dëmtime serioze të të riut. Edhe gjatë ditës së djeshme sipas burimeve të Spitalit Ushtarak, 26-vjeçari Peposhi ndodhej në gjendje të rëndë. Pas aksidentit, Policia Rrugore, ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe pas veprimeve të kryera ka vënë re se mjeti me të cilin udhëtonin dy të rinjtë ka qenë duke ecur me shpejtësi. Kjo ka bërë që mjeti të dalë nga kontrolli dhe të përplaset në anë të rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›