E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, analiza 3 mujore e prokurorisë, në veprat penale dominojnë vjedhjet

Analiza e tremujorit të parë të vitit 2009 e Prokurorisë së Sarandës, ka evidentuar se janë regjistruar gjatë periudhës zë analizuar Janar- Mars, gjithsej 91 raste të procedimeve penale, nga të cilat 25 % e tyre janë vjedhje. Në analizën e problematikes së shfaqur, Alfred Agolli, kryeprokurori i Sarandës ka vënë në dukje se vetëm për këtë tremujor janë hapur dosjet penale për 41 raste vjedhjesh, që në shumicë janë arkivuar pa autor dhe se në 4 raste autorët e veprës penale janë kapur  dhe janë në proces gjykimi. Ky fenomen në qytetin bregdetar është i njohur kryesisht në vjedhjet e banesave, për arsye se në shumicën e rasteve qyteti behet strehues i atyre që tentojnë kalimin e paligjshëm të kufirit, të mbërritur në Sarandë si rezultat i punës së sekserëve që aplikojnë këtë lloj trafiku kundrejt përfitimeve të hollave. Me  forcimin e kontrollit te regjimit të kufirit dhe pamundësisë së kalimit personat e mbërritur në qytetin jugor detyrohen të kalojnë ditë e net të tëra në pritje të kalimit drejt shtetit fqinj. Në këto kushte, paratë e planifikuara fillojnë e mbarojnë, kështu detyrohen një pjesë e tyre, me shpresën e emigrimit, në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme të bëjnë vjedhje banesash e lokalesh, duke menduar se nuk do të kapen, se kalimi në anën tjetër të kufirit i zvogëlon dyshimet për ta ose i zvogëlon mundësitë e rënies në pranga të policisë. Megjithatë nga puna e suksesshme e policisë dhe prokurorisë  është bërë e mundur kapja e vjedhësve të disa banesave në Lagjen Nr 1, 3  dhe 4. Ndërkaq, vlerësohet si punë e mirë e këtij institucioni gjetja e autorit të një vrasjeje të ndodhur në vitin 1997, i cili ka vrarë shtetasin Muharrem Halili, në Qafë Gjashtë. Autori e veprës kriminale është kapur dhe është çuar para drejtësisë për tu gjykuar. Problem i mbartur nga viti i kaluar mbetet ai i dosjeve të arkivuara pa autor në rastet e vjedhjeve dhe çështjeve penale. Strukturimi i sektorëve të policisë dhe funksionimi i sektorëve të rinj si ai i trafiqeve, i krimit ekonomik, etj dhe koordinimi më i mirë mes sektorëve brenda komisariatit dhe Drejtorisë së Policisë Vlorë pritet të rrisin shkallën e efektivitetit të zbulueshmërisë së veprave penale dhe për pasojë edhe vjedhjeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›