E Diel, 1 Nëntor 2026

QKKB: Vetëm 6344 barna të regjistruara, në tregun tonë

Në tregun farmaceutik shqiptar aktualisht janë të regjistruar dhe qarkullojnë 6344 barna, nga 344 kompani farmaceutike. "Në raport me numrin e popullsisë që ka, Shqipëria konsiderohet ndër vendet më të avancuara në këtë drejtim për numrin e barnave të regjistruara dhe kompanive që i kanë regjistruar ato", u shpreh drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jaka. Kjo, sipas tij, do të thotë që politikat e Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë efektive për tregun farmaceutik në kuadrin e liberalizimit të procedurave, të përshpejtimit të procedurave, të heqjes së burokracisë, të luftimit të monopoleve. Ndërkohë, në vend nuk tregtohen barna që nuk qarkullojnë në Bashkimin Evropian, sqaron z. Jaka. "Ne kemi të përcaktuar me ligj që barnat që regjistrohen dhe qarkullojnë në Shqipëri duhet të jenë të regjistruar në një nga vendet e BE-së, në Zvicër, Kanada, Australi", theksoi ai. Gjatë vitit të kaluar, sipas tij, ka pasur raste të kontrabandës së barnave, por jo të falsifikimit të tyre nga subjekte të veçanta brenda territorit shqiptar. "Për vitin 2008, sipas tij, janë rreth 15 subjekte që janë penalizuar me heqje të licencës për shkelje të ligjit të barnave", pohon z. Jaka. Për sa i përket liberalizimit të tregut farmaceutik, drejtori i QKKB-së thotë se liberalizimi i plotë është realizuar ligjërisht. Në këtë kuadër ka pasur ndryshime ligjore shumë pozitive lidhur me decentralizimin dhe liberalizimin e licencimit. "Ne kemi përcaktuar në ligj që brenda 20 ditëve subjektet farmaceutike që duhet të licencohen në bazë të formularit të vetëdeklarimit marrin licencën përkatëse, të përcaktuara në ligj, që nga Drejtoritë rajonale të Shëndetit Publik, deri tek Komisioni i Licencimit në MSH", sqaron ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›