Sarandë, automjeti del nga rruga, vdes 47-vjeçari
SARANDË- Një bari nga Vrina, 47 vjeç, u aksidentua për vdekje, ndërsa drejtuesi i automjetit, shkaktar i aksidentit, u ndalua nga policia, njoftuan sot burimet zyrtare nga komisariati i Sarandës, në jug të vendit. "Aksidenti rrugor ndodhi mbrëmjen e djeshme, dy kilometra larg fshatit Xarrë, ndërsa viktima Barjam Alushi ishte pasagjer në këtë automjet", thuhet në komunikatën e policisë. Policia tha se automjeti tip "Nisan", me targë SR 6844 B, me drejtues I.K, 35 vjeç, tashmë i ndaluar, doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë. Viktima kishte marrë goditje vdekjeprurëse në kokë gjatë përplasjes. Pavarësisht ndihmës së parë mjekësore, 47-vjeçari nuk arriti të mbijetojë, thanë burimet e mësipërme. Gjatë këtij viti në nënprefekturën e Sarandës kanë ndodhur 5 aksidente të rënda rrugore, me 6 të vdekur dhe 8 të plagosur.