E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentoi 70-vjeçarin, në kërkim shoferi

SHKODËR Ka aksidentuar me vdekje një shtetas dhe më pas është larguar nga vend i ngjarjes pa u identifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së enjtes, në aksin rrugor Shkodër – Velipojë, në vendin e quajtur Suka Velipojë. Dedë Dhullani, 70 vjeç, banues në fshatin Rrjoll të komunës së Velipojës, ka qenë duke lëvizur me biçikletë, pasi kishte qenë për vizitë te disa të afërm. Rrugës, ai është goditur në pjesën e pasme të biçikletës, nga një mjet i paidentifikuar, që është larguar pa i dhënë ndihmë. Për pasojë, drejtuesi i biçikletës ka rënë në asfalt, duke pësuar dëmtime në kokë dhe në trup dhe është gjetur në gjendje kritike për jetën nga kalimtarë të rastësishëm, që e kanë dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër. Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, pas disa orësh, 70-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra. Policia ka kryer veprimet përkatëse hetimore, nga ku rezulton se aksidenti ka ardhur si pasojë e përplasjes nga një automjet, që më pas është larguar pa u identifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›