E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e Birrës Norga protestë para bankës

VLORË Dhjetëra punëtorë të birrës Norga kanë protestuar dje para ‘Raiffeisen Bank’, jo vetëm për bllokimin e aktivitetit të tyre, por edhe dëmin e madh ekonomik dhe social të shkaktuar. Një radhë policësh janë rreshtuar para ambienteve të bankës, ndërkohë që protesta ka qenë paqësore. Punëtorët i kanë bërë thirrje Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Jozefina Topalli, të ndërhyjnë në kohë, pasi po prishet jo vetëm një nga bizneset më të mëdha në vend, por po hidhen në rrugë qindra punëtorë e penalizohen familjet e tyre. Ata e cilësuan gjithçka një makinacion mafioz që po ndodh për interesa të ngushta, duke i bërë thirrje drejtuesve të bankës të tërheqin vendimet e tyre. “Dëmi është i pallogaritshëm dhe ne nuk do të lejojmë interesat mafioze të na shkatërrojnë” - thanë përfaqësues të kompanisë, të cilët bënë me dije se protestat do të vijojnë me punëtorët dhe familjarë të tyre brenda ambienteve të birrës Norga.

Punëtorët janë shprehur të vendosur në protestat e tyre, që do të përshkallëzohen. Protesta ka mbajtur të bllokuar përgjatë orëve të paradites trotuarin para bankës, ndërkohë që gjithçka ka qenë paqësore. Kryesia e Dhomës së Tregtisë Vlore del në mbështetje të biznesit AB GRUP, mbi zhvillimet e fundit që po ndodhin me këtë kompani. “Kompania AB Grup është një nga bizneset simbol, jo vetëm të qytetit të Vlorës, por edhe atij kombëtar. Në të janë të punësuar rreth 300 punëtorë, që do të thotë ulje e të ardhurave mujore për 300 familje. Siç jemi në dijeni gjatë këtyre ditëve, nga ana e bankës ‘Raiffeisen’, është bërë sekuestrimi i aseteve të kësaj kompanie, sipas informacioneve që kemi nga përfaqësues të kompanisë, është bërë bllokimi i prodhimit të kësaj kompanie. Nëse është e vërtetë që nga ana e bankës janë shkatërruar pajisje dhe makineri të kësaj kompanie, kjo gjë është e pafalshme dhe nuk sjell gjë tjetër, veçse prishje të imazhit të të dy bizneseve, si të AB Grup edhe të bankës ‘Raiffeisen’. Periudha në të cilën po kryhet ky sekuestrim është i papërshtatshëm sepse fabrika është në kulmin e prodhimit të saj. Kontrata që ka lidhur banka me kompaninë, mendojmë se është një kontratë e njëanshme dhe diskriminon bizneset huamarrëse. I bëjmë thirrje shtetit, Bankës së Shqipërisë dhe organeve kompetente, të ndërhyjnë sa më shpejt, sepse jo vetëm po shkatërrojnë një nga bizneset më të fuqishme në qytet, por edhe biznesin në tërësi. Kryesia e Dhomës së Tregtisë kërkon rritjen e frymës së bashkëpunimit midis bankës dhe kompanisë dhe gjetjen e rrugëve për të dalë nga kjo krizë”, thuhet në këtë komunikatë për shtyp. E.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›