Rrëzohet kamioni me skrap, shkak mbingarkesa
DURRËS Një kamion transporti është rrëzuar mëngjesin e djeshëm në kohën që po ngjitej te mbikalimi i Shkozetit. Kamioni me targa AA 329 AG ka tentuar të ngjitet te mbikalimi në Shkozet, i cili kalon sipër autostradës Durrës-Tiranë dhe që shërben si nyje hyrëse dhe dalëse drejt saj. Kamioni ka qenë i ngarkuar me skrap dhe duket se arsyeja e përmbysjes së tij ka qenë pikërisht ngarkesa. Ka qenë ora 09.30 e ditës së djeshme, kur kamioni në fjalë ishte duke dalë nga aksi i autostradës Tiranë-Durrës për të vazhduar sipër mbikalimit me destinacion qytetin e Elbasanit. Kthesat nga të dyja anët e autostradës që ngjiten te mbikalimi janë relativisht të forta dhe kjo gjë ka ndikuar në përmbysjen e kamionit, i cili ka pasur edhe ngarkesë tej normës së lejuar. Ai ka qenë i ngarkuar me skrap dhe hekurishtet ishin ngarkuar në një qendër grumbullimi në Krujë. Skrapi do të shkonte në Elbasan për t’u shkrirë në furrat e shkrirjes së çelikut, që gjenden në ambientet e ish kombinatit metalurgjik. Nga ky aksident kamioni ka pësuar dëme të konsiderueshme, por drejtuesi i tij ka shpëtuar pa probleme që mund të rrezikojnë shëndetin e tij. Në vendngjarje kanë mbërritur efektiva të policisë rrugore si dhe mjete të rënda për të spostuar karrocerinë dhe kamionin nga aksi që qëndroi i bllokuar për më shumë se një orë. A.K.