E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushërinjtë zihen duke kositur jonxhën, vritet me çifte 50 vjeçari

Tahir Guza 50 vjeç ka vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri çifte nga kushëriri i tij Pëllumb Guza

DURRWS Një sherr i nisur fillimisht me fyerje dhe ofendime, ka përfunduar në mënyrë tragjike për njërin nga dy kushërinjtë e parë në fshatin Koxhas, afër bashkisë së Shijakut. Dy djem xhaxhallarësh kanë qenë duke korrur jonxhën në tokën që ishte pranë njëri-tjetrit dhe aty ka nisur dhe përfunduar gjithçka. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Tahir Guza 50 vjeç ka vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri çifte nga kushëriri i tij Pëllumb Guza.

Vrasja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17.30 në fshatin Koxhas të komunës Xhafzotaj. Dy kushërinjtë kanë qenë në të njëjtën kohë duke kositur jonxhën, ndërkohë që parcelat e tyre kanë qenë ngjitur me njëra-tjetrën. Fillimisht gjithçka ka vazhduar normalisht, por menjëherë kanë nisur debatet midis tyre. Debati ka qene vetëm me fyerje dhe ofendime mes tyre, por më pas ka nisur konfrontimi fizik ku që të dy janë goditur me shkelma dhe grushte. Pas kësaj Pëllumb Guza, me moshë rreth 50 vjeçare, ka shkuar në banesën e tij, e cila ndodhet fare pranë parcelës ku ishte mbjellë jonxha, dhe ka marrë aty një armë gjahu, te cilën e mbante prej kohësh në shtëpi. Pëllumb Guza është kthyer shpejt në vendin ku nisi sherri dhe e ka qëlluar dy herë kushëririn e tij me çifte. Tahir Guza ka mbetur i vdekur në vend, kurse autori i vrasjes është larguar për të shpëtuar nga arrestimi. Të parët që kanë mësuar për ngjarjen e rëndë kanë qenë fqinjët e dy kushërinjve të përfshirë në konflikt. Ata janë afruar për të parë dhe aty kanë mësuar se njëri prej tyre ishte qëlluar me armë. Ata kanë njoftuar policinë dhe më pas edhe një autoambulancë të spitalit të Shijakut, e cila e ka transportuar 50-vjeçarin Tahir Guza drejt Durrësit. Pavarësisht se ai është dërguar menjëherë në spital, asnjë shpresë nuk ka pasur për shpëtimin e jetës së tij. Mjekët kanë konfirmuar se pacienti që sapo kishte ardhur në urgjencë kishte vdekur kohë më parë. Efektiva të shumta të komisariatit të policisë së Shijakut dhe të Durrësit kanë shkuar në fshatin Koxhas, ndërsa kërkimet janë përqendruar edhe në zonën përreth të Shijakut dhe Sukthit.

Arrestimi

Fillimisht janë marrë në pyetje disa persona që kanë qenë afër vendit të ngjarjes, deklarimet e të cilëve kanë hedhur dritë rreth identitetit të autorit të kësaj vrasje. Pas kërkimeve intensive dhe ngritjes së pikave të kontrollit në disa kryqëzime rrugës, afro një orë pas ngjarjes, Pëllumb Guza është kapur në dalje të Plepave, në tentativë për tu fshehur nga arrestimi. Policia i ka vënë prangat 50 vjeçarit Pëllumb Guza, i cili tashmë akuzohet për vrasje me dashje. Efektivat policore kanë sekuestruar edhe armën e gjahut bashkë me disa fishekë. Nga deklarimet e para që ka dhënë në polici mësohet se 50 vjeçari e ka kryer vrasjen pas sherrit që nisi për motive banale, duke shtuar se kushëriri i tij e kishte qëlluar me grushte dhe shkelma dhe për këtë arsye ai vendosi të hakmerrej. Gjitshesi policia po heton edhe pistën e pronësisë, nëse konflikti ka nisur për shkaqe të tilla, duke qenë se tokat e secilit prej tyre kanë qenë shumë afër me njëra-tjetrën. Ngjarja në fjalë ka lënë të shtangur banorët e fshatit Koxhas, i cili bashkë me fshatin tjetër kufitar, Borakë, janë dy fshatra më popullsi tërësisht homogjene, e cila ka ardhur para shumë vitesh nga Bosnje Hercegovina.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›