E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë emigrantin, shpallen në kërkim tre autorët

Policia e Vlorës ka bërë të mundur zbulimin e një ngjarjeje të ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka identifikuar autorët

VLORË Afër gjashtë muaj pas vrasjes së një 39-vjeçari, emigrantit që sapo ishte kthyer nga Italia, policia e Vlorës ka bërë të mundur zbardhjen e vrasjes së ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar. Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, pas hetimit intensiv disamujor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën nacionale Vlorë-Fier, në afërsi të fshatit Panaja të Rrethit Vlorë, ku ka ngelur i vrarë Romeo Fejzullau, 39 vjeç, banues në Patos të Rrethit Fier, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të këtij krimi. Nga hetimet disamujore të kryera me metoda speciale në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka rezultuar se autorët e dyshuar të këtij krimi janë Luis Rosi, 31 vjeç dhe Julsi Tushi, 36 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, në lagjen “Kushtrimi”. Të dy këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, më datë 30 dhjetor 2010 rreth orës 11:00, në fshatin Panaja në rrugën kombëtare Vlorë- Fier, nën drejtimin e një automjetit tip Merceds-Benz “Rexhina” me xhama të errët, pa targa, i kanë prerë rrugën automjetit tip furgon “Renault” ngjyrë e bardhë me targa FR 0457 D, i cili lëvizte nga Vlora në drejtim të Fierit. Brenda automjetit kanë qenë shtetasit Romeo Fejzullau, Eduart Fejzullau dhe Neritan Shpata. Nga automjeti tip Mercedes-Benz “Rexhina” kanë zbritur tre persona, njëri prej të cilëve, drejtuesi i mjetit, me një send të fortë ka thyer xhamin e derës së shoferit të furgonit tip “Renault”, ndërsa një tjetër që ka zbritur nga pjesa e pasme e automjetit ka pasur në dorë një armë zjarri tip automatik Kallashnikov”, me të cilin ka qëlluar në drejtim të drejtuesit të fugonit. Si pasojë, ka mbetur i vrarë shtetasi Romeo Fejzullahu, i cili drejtonte automjetin. Viktima së bashku me dy personat e sipërpërmendur sapo ishin kthyer nga Italia nëpërmjet portit të Vlorës. Për Luis Rosin dhe Julsi Tushin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, të kryera në kushtet e bashkëpunimit parashikuar nga nenet 78, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë po punohet intensivisht për kapjen e shtetasve të sipërpërmendur, si dhe për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tretë të kësaj ngjarjeje. E.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›