E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, regjistrohen tri vatra zjarri

Zjarri i parë është regjistruar gjatë orëve të pasdites, përgjatë aksit hekurudhor Peqin-Elbasan. Mësohet se flakët kanë përfshirë traversat, në një segment të shkurtër të linjës hekurudhore, duke e dëmtuar atë pjesërisht. Banorët e zonës, pasi kanë pikasur zjarrin, kanë sinjalizuar policinë lokale. Për shuarjen e flakëve është dashur ndërhyrja e shërbimit të zjarrfikësve. Burime zyrtare të policisë lokale pohuan se zjarri kishte përfshirë një pjesë të linjës hekurudhore në fshatin Karinë të Peqinit. Nga zjarri janë dëmtuar pjesërisht dhjetëra traversa, të cilat shërbimi i mirëmbajtjes së linjave hekurudhore i ka riparuar gjatë paradites së të dielës, duke siguruar normalitetin në qarkullimin e trenave. Ndërkohë, policia ka filluar hetimet për identifikimin e autorëve të këtij zjarri. Sipas burimeve zyrtare nga shtabi i emergjencave, një vatër e fuqishme zjarri është regjistruar mbrëmjen e djeshme në një kompleks privat në ish-kantierin e Uzinës 12 në Metalurgjik. Ndërsa mbrëmjen e së shtunës, fusha e grumbullimit të plehrave në periferi të qytetit të Librazhdit është përfshirë nga flakët e zjarrit, të cilat janë shtrirë pothuajse në të gjithë sipërfaqen e saj. Nga djegia e mbeturinave janë krijuar re të dendura tymi, të cilat kanë shkaktuar një ndotje të konsiderueshme në zonën e banuar, jo shumë larg fushës së grumbullimit të mbeturinave. Për të shuar zjarrin është kërkuar nga autoritetet lokale ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës të stacionit lokal të Rrethit të Librazhdit. Nga ana e forcave të këtij shërbimi është punuar gjatë gjithë natës dhe në agimin e ditës së diel është arritur që zjarri të izolohej plotësisht, por duke lënë pas për disa orë një ndotje mjaft të madhe të ajrit. Ndërkohë, policia lokale po heton për rrethanat e ngjarjes, pasi mendohet të jetë zjarrëvënie e qëllimshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›