E zë gjumi pas dasme,i vjedhin shtëpinë
Gjumi i ka kushtuar shtrenjtë një banori të fshatit Leshnjë në Komunën e Vithkuqit. I kthyer nga dasma ai ka qenë tepër i lodhur për të dëgjuar zhurmat e hajdutëve që i kanë vjedhur shtëpinë. Ngjarja ka ndodhur natën e së shtunës, në shtëpinë e Sadedin Lazes, nga fshati Leshnjë, dhe është denoncuar prej tij mëngjesin e së dielës. Policia lokale ka pohuar se autorët kanë hyrë qetësisht në banesë, ndërsa pjesëtarët e familjes Laze ishin në gjumë. Vjedhësit kanë përvetësuar një aparat dixhital, një shumë të hollash në vlerë rreth 40 mijë lekë, si dhe sende të tjera të çmuara. I zoti i shtëpisë ka shpjeguar se kur ka ndodhur kjo ngjarje, ishte në gjumë në katin e parë të banesës, ndërsa hajdutët i kanë hyrë në katin e dytë të ndërtesës. Mësohet se dera e katit të dytë ka qenë e hapur dhe hajdutët nuk e kanë pasur të vështirë të kryenin vjedhjen.