Trezege, "po" kalimit te Milani
David Trezege e mirëpret kalimin te Milani. Nëpërmjet menaxherit të tij, Antonio Kaliendo, sulmuesi i Juventusit u ka dhënë sinjale të forta kuqezinjve. Francezi është i gatshëm që të ulë rrogën sezonale, me qëllim që të luajë në skuadrën e Leonardos. Trezege ka edhe dy vjet kontratë me bardhezinjtë, ku përfiton 4.5 milionë euro në sezon, ndërsa aktualisht te Milani, rroga maksimale për futbollistët mbi 30 vjeç është 4 milionë euro. Rreth kësaj çështjeje, Kaliendo deklaroi: "Nuk do ta kishim të vështirë të fillonim bisedimet me drejtuesit në rrugën ‘Turati‘. Vlerësimi që te Milani kanë për Davidin është një shtysë për të diskutuar seriozisht rreth këtij transferimi. Nëse na parashtrohet kërkesa për ulje rroge? Patjetër që do të bisedonim. Gjithmonë mund të gjendet një zgjidhje, nëse palët e përfshira dëshirojnë. Për Milanin ia vlen të sakrifikosh dhe Trezege është i gatshëm ta bëjë".