E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungari, minuta tmerri për Masën

Felipe Masa ka përjetuar minuta tmerri në Çmimin e Madh të Hungarisë, në çastet e fundit të kualifikueseve të dyta, ku do të përcaktohej dhjetëshja, e cila do të konkurronte për "pole position". Piloti i Ferrarit është goditur në sektorin e dytë nga një pjesë metalike e amortizatorit të makinës BraunGp të Rubens Barrikelos, ndërsa provat zyrtare në Hungaroring u ndërprenë për një kohë të gjatë. Njerëzit e ndihmës së shpejtë vrapuan në drejtim të brazilianit dhe pasi e nxorën nga njëvendëshja e dërguan në qendrën mjekësore të cirkuitit. Më pas, në orën 15:07, Masa u transportua me helikopter në spitalin e Budapestit, ndërsa nga pamjet filmike dukej që piloti ishte i vetëdijshëm: në barelë ai lëvizte duart dhe kokën. Zëdhënësi i "kokëkuqes", Luka Kolaiani, konfirmoi se piloti ishte në gjendje të mirë. Në 15:24 kjo u konfirmua edhe nga një zëdhënës i FIA-s: "Felipe Masa është në spital, gjendja e tij është e stabilizuar". Ai nuk do të zbresë sot në pistë për të marrë pjesë në garë, por duke parë dinamikën e aksidentit ky është shqetësimi më i vogël në radhët e Ferrarit. Përgjegjësi sportiv, Domenikali sqaroi: "Felipe nuk do të garojë nesër (sot). Pavarësisht aksidentit, situata është nën kontroll". Gjithsesi, Masa duhet të operohet, pasi ka pësuar një çarje mbi syrin e majtë dhe tronditje cerebrale. Imazhet e ngadalësuara tregonin sesi braziliani u godit në kaskë nga një copë metalike e makinës së Barrikelos: 28-vjeçari humbi ndjenjat nga goditja e dhunshme dhe doli nga pista në kthesën numër 4, ndërsa kilometrazhi tregonte 200 km/h.

Kur shqetësimi kolektiv për situatën e Masës kaloi, u hap drita jeshile për mbylljen e provave. Në "pole" do të niset Fernando Alonso, ndërkohë që pas pilotit të Renaultit ndodhen Fetel dhe Veber me makinat Red Bull. Spanjolli duhej të priste disa minuta përpara se të festonte, pas një "black out" të kronometrit, që vonoi edhe shpalljen e rezultateve. Për shkak të aksidentit, BraunGP e hodhi në pistë makinën e Batonit vetëm në 3 minutat e fundit. Britaniku regjistroi kohën e tetë, ndërsa përpara tij në vijën e startit janë Hemilton (i katërti me MekLaren), Rosberg (Uilliams), Kovalainen (MekLaren) dhe Raikonen me Ferrari.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›