E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, eksploziv autobusit

 

SARANDE - Eksploziv autobusit të linjës Sarandë-Tiranë. Mjeti ndërurban, në pronësi të shtetasit Vasil Papa, ishte parkuar prej mëngjesit në lagjen periferike të Sarandës, kur në mbrëmje shpërtheu fuqishëm, duke u dëgjuar thuajse në të gjithë qytetin. Sipas burimeve policore, të cilët i referohen hetimeve paraprake të kryera nga Policia Kriminale e Komisariatit të Sarandës, eksplozivi është vendosur poshtë autobusit të pasagjerëve me targë SR 46 48 B, rreth orës 21:30. Automjeti ishte parkuar pranë stadiumit të qytetit ose siç quhet ndryshe, "Karburanti shtetëror", në lagjen nr.4 të qytetit. Nga shpërthimi i lëndës eksplozive, e cila mendohet të ketë qenë tritol, është thyer xhami i parë i autobusit, xhami i shoferit, si dhe janë dëmtuar rëndë disa pjesë të tjera të mjetit. Policia, e cila është sinjalizuar nga banorët e zonës, por edhe nga shpërthimi që u dëgjua fuqishëm, është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja ka lidhje me motive konkurrence, por nuk përjashtohet ndonjë konflikt i pronarit, i cili po merret në pyetje. Brenda një muaji në qytetin e Sarandës janë shënuar 4 raste tritolvënie.                                      sh.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›