E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjakmarrja lë 100 fëmijë pa shkuar në shkollë

 

SHKODER - Rreth 100 fëmijë në Qarkun e Shkodrës nuk do të ulen në bankat e shkollës më 15 shtator. Frika e gjakmarrjes i ka lënë ata të ngujuar në shtëpi. Shifra në fjalë konfirmohet nga vetë kreu i Misionit të Pajtimit të Gjaqeve, Mustafë Daija. Në një takim të organizuar paraditen e djeshme në ambientet e prefekturës Shkodër, misionarët e paqes reaguan për numrin e madh të fëmijëve që kanë braktisur arsimin si pasojë e gjakmarrjes dhe për mospjesëmarrjen e pushtetit vendor në iniciativat e tyre. Sipas kryetarit të Misionarëve Daija, indiferenca që tregohet ndaj plagës së gjakmarrjes nga pushtetarët është e patolerueshme, pasi megjithë injorimin e këtij fenomeni ai është i qenësishëm në shoqërinë tonë. Nga analiza e punës së bërë prej misionit mësohet se në Qarkun e Shkodrës janë rreth 100 fëmijë të ngujuar. Kreu i Pajtimit të Gjaqeve nuk ka lënë pa përshëndetur punën e bërë nga Drejtoria Arsimore e Shkodrës. "Dua të përshëndes drejtoreshën e Arsimit e Shkodrës, Artrida Ferketi, e cila gjatë gjithë kohës ka pasur pjesë të punës së saj dhe fëmijët që vuajnë pasojat e gjakmarrjes", ka pohuar Daija. Sipas tij, është punuar shumë mirë me projektin e Ministrisë së Arsimit "Shansi i Dytë", në qendër të të cilit ishte arsimi më kushtet e shtëpisë për këtë grup fëmijësh. Nga ky projekt në Shkodër kanë përfituar 57 fëmijë. "Rezultatet e këtij projekti janë të dukshme dhe na vjen shumë mirë që është bërë diçka për ta. Prej këtij projekti kanë përfituar fëmijët e arsimit 9-vjeçar, por është e nevojshme që të bëhet një projekt i tillë dhe për grupmoshat e tjera", ka sqaruar ai. Fëmijët e ngujuar në veri të vendit në çdo fillim viti shkollor vihen në qendër të vëmendjes së opinionit të gjerë, por pa mundur t'i shpëtojnë "prangave" që u ka vënë hakmarrja.                r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›