"Zinxhira", reagim për Lazaratin
GJIROKASTER/ PIRO NASE
"Shteti është inekzistent dhe policia nuk dëshiron të na mbrojë". Janë këto fjalitë që përsëriten gjithmonë nga banorët e lagjes "Zinxhira" në Gjirokastër, sa herë që u "fërshëllen" ndonjë plumb "qorr", natën ose ditën. Pas fshatit minoritar Derviçian, tashmë banorët e lagjes tjetër reagojnë nga plumbat që prej kohësh po u terrorizojnë familjet. Galip Selimi, 67-vjeçari nga fshatrat e Elbasanit i ardhur në Gjirokastër dy vjet më parë, është një prej 1 mijë banorëve që jetojnë nën ankthin 24 orësh dhe frikën e pandërprerë në lagjen "Zinxhira", e cila shtrihet pranë fshatit Lazarat. Plumbat e shkrehura nga banorët e përtejmë, kanë rrezikuar jo pak herë komunitetin e banorëve të këtushëm i cili përherë ka apeluar tek policia lokale për zgjidhjen e kësaj situate. Për të banorët e tjerë të lagjes, situata mbetet mjaft kritike pasi siç thotë ai, fati ka qenë me ta. Tre plumba kanë goditur faqen e shtëpisë së 67-vjeçarit ditën e enjte dhe rreth shtatë plumba të tjera kanë prekur fasadat e jashtme të një pallati, ku jeton edhe gazetari i ATSH për jugun e Shqipërisë, Telnis Skuqi. Ai rrëfen me shqetësim atë çfarë ndodh përditë në këtë lagje dhe pasigurinë e këtij komuniteti karshi plumbave që vijnë nga zona jugore. Një grup banorësh kanë iniciuar një takim para pak ditësh me kreun e Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, për t'i përcjellë atij shqetësimet. Por, asgjë nuk duket se ka ndryshuar deri tani. Një dasmë e filluar të enjten në zonën më të ekspozuar karshi fshatit Lazarat është ndërprerë në orët e para të mbrëmjes për të shmangur ndonjë incident. "Eshtë e patolerueshme të rrojmë kështu të frikësuar, jemi të pambrojtur nga policia dhe kjo e fundit është e pafuqishme të plotësojë kërkesat tona elementare për të jetuar ditët që na ka dhënë Zoti", shprehet Fiqirete Xhani, e cila punon në një prej rrobaqepësive private të Gjirokastrës. "Sa herë që kthehem nga puna në orën 10:00 të darkës dëgjoj të shtëna nga përtej dhe për të mbërritur në shtëpi më duhet 30 minuta kur normalisht e bëj për 5 minuta, pasi rri e ndaloj për të shmangur rrezikun nga ndonjë plumb. "Policia ka ardhur në zonë por asgjë nuk ka ndryshuar, madje na janë përgjigjur se duhet të tregohemi të kujdesshëm të qëndrojmë larg ekspozimit të dritareve", janë shprehur banorët të cilët revoltohen me këto "këshilla" policore. Aktualisht, forca të shumta policie, vendase dhe ato speciale qarkullojnë nëpër Gjirokastër dhe rrethinat e saj, por pa mundur të depërtojnë brenda fshatit Lazarat, ku u deklarua se ishin identifikuar personat që qëllojnë me armë.