E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, fëmijët zbulojnë një kokë të prerë në plehra

Një kafkë njeriu, ka qenë surpriza e ditës së djeshme në Sarandë. Ajo është gjetur në territorin në afërsi të ish-kampit të pushimit, në segmentin e rrugës Sarandë-Kanali i Çukës. "Zbulues" të saj kanë qenë një grup fëmijësh, që ishin duke luajtur si çdo ditë në këndet e tyre të sajuara të lojërave. Të gjithë kanë ndërprerë lojën, kur shoku i tyre ka dalluar një si kokë njeriu në togun e plehrave aty përreth.

Pasi "zbulimi" i fëmijëve u është thënë prindërve, është njoftuar policia e Sarandës. Në vendngjarje kanë shkuar uniforma blu nga Komisariati i Sarandës dhe nga Prokuroria e qytetit bregdetar. Mendimi i parë që u ka shkuar ndërmend ka qenë ai i rënies në gjurmë të ndonjë krimi të viteve më parë, ku nuk kanë munguar edhe ato me prerje koke. Por, burime nga policia janë shprehur shumë të rezervuar për këtë, pasi kanë marrë në dorëzim kafkën e gjetur, në kushtet kur asaj i ka munguar pjesa e nofullës së poshtme. Burimet policore thanë se kafka nuk ka dhënë mundësinë e përcaktimit me sy të lirë nëse ajo është kokë njeriu apo kafshe të ngjashme me të.

Duke qenë tepër e vështirë të përcaktohej kjo jashtë kushteve laboratorike, policia dhe prokuroria e Sarandës kanë vendosur për ta transportuar kafkën për në laboratorin e ekzaminimit kriminalistik në Tiranë, ku ajo pritet t‘i nënshtrohet ekspertizës së specializuar.

Në komisariatin dhe prokurorinë e Sarandës, kohët e fundit është folur mjaft për ngjarjen e ndodhur në Konispol, më 8 tetor 2005, ku 45-vjeçari konispolat, Zihni Myderrizi, u ekzekutua me prerje koke në mes të ditës. Kanë qenë vetë familjarët që kanë kërkuar me këmbëngulje zbardhjen e saj. Por nuk dihet se sa e mundshme është që kafka e zbuluar dje në një tog plehrash, në rrugën që lidh Sarandën me Konispolin, të ketë lidhje me krimin më të bujshëm, të njohur ndryshe si Masakra e Vasilikoit, poshtë fushave të Konispolit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›