E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherre adoleshentësh, dy të plagosur në 24 orë

Dy plagosje me thikë kanë ndodhur në harkun e 24 orëve në qytetin e Vlorës. Ngjarja e parë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 23:00, kur, gjatë një sherri banal, dy adoleshentë 17-vjeçarë kanë nisur të zihen fillimisht me fjalë, e më tej me grushte. Në sherr e sipër njëri prej tyre, me iniciale G. D., ka goditur me thikë bashkëmoshatarin me iniciale A. N., i cili ka marrë plagë të rënda dhe është ende në spital në repartin e reanimacionit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa vendi i sherrit ka qenë lagjja "Lef Sallata" e qytetit të Vlorës. Policia ka identifikuar autorin e plagosjes, por ende nuk e ka ndaluar atë. Ndërsa vepra penale, për të cilin do të akuzohet adoleshenti G.D., banues në lagjen "24 Maji" të qytetit, është plagosje e rëndë me dashje. Plagosja e dytë ka ndodhur në lagjen "Pavarësia" të qytetit, rreth orës 14:30 të ditës së djeshme. Gjatë një sherri ka mbetur i plagosur 23-vjeçari Sokol Nelaj. Autori i plagosjes ende nuk është identifikuar dhe ndaluar nga policia, ndërsa Nelaj është çuar me urgjencë në spital. Të dy të lënduarit janë aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa thikat mes adoleshentësh janë kthyer në një problem shqetësues për qytetin. Në harkun kohor të tre javëve kanë ndodhur në total gjashtë plagosje të rënda në qytet, me thikë apo armë zjarri. Për të gjitha rastet, policia ka mundur të arrestojë vetëm një autor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›