Sarandë, grabisin 65-vjeçaren tek varri i burrit, 2 në pranga

Kishte ardhur nga Greqia për të vajtuar burrin e vdekur disa kohë më parë, por bie pre e grabitjes me dhunë. Ngjarja ka ndodhur në varrezat e fshatit Xarrë të Sarandës, ku Vasiliqi Puriqi, emigrante është dhunuar e grabitur nga dy adoleshentë.
Pasi e kanë goditur me grushte, grabitësit kanë arritur t`i marrin 65-vjeçares, 500 euro, pasaportën si dhe sende të tjera personale. Emigrantja ka denoncuar ngjarjen në Komisariatin e Sarandës, ndërkohë që oficerët e krimeve kanë organizuar operacionin policor duke arritur të zbardhin ngjarjen dhe të identifikojnë dy autorët.
Në pranga kanë rënë Kostandino Stefani dhe Kristaq Xhemalaj, dy 17-vjeçarë nga fshati Xarrë, të cilët akuzohen tashmë për veprën penale, "vjedhje me dhunë në bashkëpunim". Policia ka arritur të gjejë edhe sendet e grabitura, të cilat ishin fshehur nga autorët në fshatin Xarrë.