Sarandë, grabitet në rrugë kambisti
SARANDE - Grabit kambistin në mes të ditës, arrestohet për 15 minuta autori. Policia e Sarandës ka mundur të bllokojë në kohë Bardhok Ndojin, banor i Gjegjanit të Pukës bashkë me paratë e grabitura. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në rrugën 4 të qytetit. Kambisti, po kthehej nga puna me çantën me para, ku sipas tij kishte futur 3 mijë euro dhe 80 mijë lekë të reja. Ai është ballafaquar me autorin 22-vjeçar, i cili pasi e ka goditur i ka rrëmbyer çantën. Menjëherë pasi ka lajmëruar policinë kambisti, forcat e saj kanë arritur të bllokojnë në kohë rekord autorin. Fakti që nuk ishte i maskuar ka ndihmuar policinë që ka identifikojë me shpejtësi dhe të prangosë grabitësin. Sipas policisë, atij i është gjetur dhe shuma e parave të rrëmbyera. Komisariati i Sarandës ka njoftuar për këtë ngjarje komisariatin e Pukës. Autori mësohet se është punëtor sezonal në qytetin e Sarandës. Ngjarja ndodhi në një orar, kur në rrugë ka pasur pak kalimtarë. sh.d