Turistët braktisin Vlorën për bregdetin e Orikumit
ORIKUM/ QEMAL BIRAKU
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky sezon ka shënuar rënie të ndjeshme të numrit të turistëve, të huaj e vendas në Vlorë. E kundërta e kësaj situate paraqitet në plazhet e Orikumit. Zona turistike dhe plazhet e saj janë tejet të mbipopulluara nga pushues vendas dhe turistë të huaj, si asnjë vit tjetër. Pushuesit shprehen se kanë zgjedhur plazhet e Orikumit, pasi ato janë të pastra. "Rëra dhe deti janë shumë të pastra. Zona e Orikumit është shumë e bukur. Këtu ka një port ku turistët mund të ankorojnë jahtet", - u shpreh një turist i huaj. Një ndikim shumë i madh për të preferuar plazhet e Orikumit është edhe infrastruktura rrugore e rehabilituar, si dhe vendet arkeologjike, muzeale dhe historike, që ndodhen në këtë zonë. Ndaj tyre, kryesisht të huajt, kanë shfaqur shumë interes. Në zonën turistike, në të gjithë plazhin nuk lundron asnjë mjet lundrues, madje as edhe motorë, pasi ato nuk lejohen nga policia. Kjo ka bërë që pushuesit të ndihen më të sigurt në det, si të rriturit ashtu dhe fëmijët. "Në plazhet e Orikumit është shënuar një numër i madh pushuesish dhe turistësh, si asnjë vit tjetër. Kjo ndodh, pasi turistët në këtë zonë gjejnë një infrasturkturë të shkëlqyer, plazhe të pastra, det të pastër, qetësi si dhe shumë aktivitete të ndryshme, si gjatë ditës, ashtu dhe përgjatë natës. Gjithashtu, në Orikum ata gjejnë shumëllojshmëri menush në lokale, shërbim korrekt si dhe çmime të arsyeshme të ushqimeve dhe hoteleve", - u shpreh kryebashkiaku, Kanan Braho. Sipas tij, bashkia që ai drejton ka investuar me financimet e saj dhe të Fondit të Zhvillimit në sistemimin e plazheve, trotuareve dhe infrastrukturës rrugore, jo vetëm në zonat e plazhit, por dhe në fshatrat Dukat, Tragjas dhe Radhimë. Në zonën e plazhit është investuar edhe për ndriçimin rrugor, i cili ka munguar prej vitesh. "Tashmë, Bashkia e Orikumit ka fituar besimin e pushuesve dhe turistëve, sepse ata gjejnë kushte shumë të mira, qetësi dhe pastërti", u shpreh Braho. Ai shprehet i kënaqur me fluksin e pushuesve në këtë zonë të bregdetit, ndërsa thekson se për vitin e ardhshëm infrastruktura do të jetë akoma dhe më e rregulluar, me qëllim "thithjen" e turistëve.