ISKSH: Rritje page deri në 21% për mjekët
Mjekët e familjes, specialistët dhe i gjithë personeli i qendrave shëndetësore do të përfitojnë një tjetër rritje page. Ky ka qenë vendimi i Institutit të Kujdesit Shëndetësor. Kështu shtesa prej 17. 5% e pagave do të jetë për mjekët e familjes dhe 21 % për specialistët. “Sot paga mesatare për një mjek në qendrat shëndetësore së bashku me dy paga shpërblim që ndodh për herë të parë në sistemin shëndetësor, ku 14 paga janë të garantuara, bëhet 600 mijë lekë në muaj”, tha dje gjatë një konference për shtyp drejtoresha e ISKSH-se Elvana Hana. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 9300 punonjës, ndërkohë që rritja e lartë është parashikuar për mjekët e zonave malore. “Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mjekëve në zonat qendrore për shkak të ngarkesës së madhe të punës. Konkretisht, një mjek në zonën qendrore me ngarkesë normale, pra me 2 mijë banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe me punë 12 vizita në ditë do të paguhet me një pagë mujore bruto 47 mijë lekë. Ndërsa një mjek në zonat malore dhe të thella malore me 6 vizita në ditë do të paguhet 79 mijë lekë”, tha Hana. Ndërkohë edhe pagat e 6700 infermierëve do të rriten. Personeli me arsim të mesëm nga 28 mijë lekë do të marrë 32 mijë lekë, ndërsa infermierët me arsim të lartë do të paguhen 35 mijë lekë. Stafi me arsim tetëvjeçar si dhe ndihmës infermierët do të përfitojnë një pagë rreth 29 mijë lekë. Ndërkohë ISKSH ka marrë një vendim tjetër, atë të përdorimit të së ardhurave dytësore në qendrat shëndetësore. Nisur nga nevojat për investime u vendos që 60 % e të ardhurave të përdoren për këtë qëllim dhe 20 % për shërbime, ndërkohë 20 % për paga e shpërblime.