Gripi, porositen 10 mijë doza të vaksinës tamiflu
zirina llambro
Të sëmurët kronikë janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga gripi i derrave. Po ashtu te kjo kategori edhe komplikacionet mund të jenë të rënda e deri me pasoja fatale. Instituti i Shëndetit Publik bën apel për më shumë kujdes. Sakaq, Ministria e Shëndetësisë ka porositur 10 mijë doza të tjera vaksinash tamiflu, për të frenuar një përhapje të mundshme të virusit në vendin tonë. ”Të sëmurët me zemër, ata që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes, diabetikët dhe të gjitha sëmundjet e tjera kronike janë më të prirur për t’u prekur prej virusit. Në këtë grup të paktën nga statistikat e OBSH ka rezultuar se ka pasur edhe viktima. Ndaj në rast se gripi vjen në Shqipëri janë pikërisht këta persona që duhet të kenë prioritet, në trajtim”, deklaroi dje shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino. Ajo shtoi se temperaturat e larta nuk e favorizojnë përhapjen e virusit, por mundësia më e madhe e prekjes së vendit tonë nga A-H1N1 është në vjeshtë, në sezonin e gripit. Gjithashtu, specialistët e Shëndetit Publik kërkojnë forcimin e sistemit të komunikimit të qytetarëve me mjekët e qendrave shëndetësore. “Pavarësisht kurimit në shtëpi, pacientët duhet të qëndrojnë në kontakt me mjekun e familjes. Për këtë duhet edhe një përmirësim i sistemit të komunikimit”, tha Silva Bino. Ajo sqaroi se ky virus në të gjithë Evropën nuk është shfaqur agresiv si në vende të tjera, ku janë shënuar edhe raste vdekjesh. Shenjat e gripit të derrit janë pothuajse të njëjta me një grip të zakonshëm dhe personat më të rriskuar janë ata që mbartin një sëmundje. Ditët e fundit alarmi për transportimin e virusit nga emigrantët është rritur ndjeshëm. Greqia nga ku pritet të vijnë gjatë sezonit të verës pjesa më e madhe e tyre ka raportuar deri tani 20 të infektuar nga gripi i derrave. Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë trajtuar me sukses. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do të ketë kufizim të lëvizjes nga Greqia, porse do të rriten kontrollet në pikat kufitare. Ndërkaq, burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë me dije se muajin e fundit ka pasur vetëm disa raste të dyshuarësh si të prekur nga virusi, por nga analizat ka rezultuar se nuk janë të infektuar. Thuajse të gjithë vijnë nga jashtë vendit.