Sarandë, kapet 400 kg kanabis sativa
Një aksion i policisë së Sarandës ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshmë lënde narkotike.
Rreth 400 kilogramë kanabis sativa u sekuestruan në një stan pranë Kakomesë.
Burimet policore thanë se droga u gjet në 11 çanta të mëdha, të cilat ishin mbushur me pako me kanabis sativa të presuar dhe të mbështjellë me natriban.
Burimet thanë se droga është transportuar deri aty me pesë kafshë, të cilët u gjetën pranë stanit.
Ndërkaq, në vijim të hetimeve për të zbuluar prejardhjen dhe destinacionin e lëndës narkotike, policia ka shoqëruar pronarin e stanit.
Identiteti i tij nuk bëhet i ditur, por burimet shtuan se ai është marrë në pyetje nga specialistët e seksionit të luftës kundër narkotikëve.
Ndërkaq, të tjera burime policore shtuan se droga mund të kishte si destinacion final shtetin fqinj të Greqisë.
Sipas burimeve droga do të trasportohej drejt Greqisë me varkë.
Megjithatë, pritet përfundimi i hetimeve të policisë për zbardhjen e plotë të linjës së trafikut të lëndës narkotike.
Kjo është një prej sasive më të mëdha të drogës të sekuestuara në rrethin e Sarandës.
Disa muaj më parë dy aksione të policisë së Sarandës çuan në sekuestrimin e 305 kilogram kanabis sativa.