Sarandë, kërcënohen dy djemtë e kandidatit të PS-së

Kërcënohen me armë dy djemtë e kandidatit të Partisë Socialiste për në Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa. Lajmi është konfirmuar nga vetë kandidati dhe ish-deputeti I PS-së, Stefan Çipa në një linjë telefonike për “Ora News”. Sipas tij dy djemtë e tij janë kërcënuar nga dy persona të cilët udhëtonin me një makinë me targa të huaja.
Sipas tij incidenti ka ardhur pasi ai ka denoncuar dhe dhunimin e posterave elektoral dhe banderolave të tij në qytetin e Sarandës ndërsa theksoi se dy personat që kërcënuan më armë nuk janë nga Saranda, por nga zona të tjera të vendit.
“Dy persona me një makinë me targa të huaja më thanë se do të zhduknin jo vetëm fëmijët e mi por edhe mua. Njerëz të importuar në Sarandë kanë për qëllim prishjen e qetësisë së fushatës elektorale” theksoi Çipa.
Më tej Çipa ka theksuar se është dashur ndërhyrja e tij për të shmangur një incident që mund të ishte me pasoja tragjike duke shtuar se më pas në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ka arrestuar dy personat.
“Policia dhe organet e ligjet duhet të zbatojnë ligjin. Unë jam kandidat dhe kam një përvojë të mëparshme ligjore dhe i njoh kompetencat. Duhet të shmangen gjëra të tilla. Kam komunikuar dhe me rivalin tim z. Gjoka dhe i kam thënë të mos fusë një frymë të tillë në fushatë dhe të largojë përplasje. Ky incident ka filluar që dje në mëngjes dhe këta njerëz të importuar në Sarandë, kanë krijuar këtë ngjarje, sepse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka pasur incidente të tilla”, tha Çipa.