E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi prej 17 milionë euro, nga partneriteti publik-privat

01-05-2011 / Gazeta 55

Ferdinand Xhaferaj prezanton projektin për kthimin e Durrësit në qendër të rëndësishme transporti

“Partneriteti publik – privat që ne do të aplikojmë nuk është ai që ka aplikuar z. Dako deri tani. Z. Dako e ka parë partneritetin publik – privat si një mënyrë që paratë publike t’i çojë tek firma e tij private e betonit. Por, praktika jonë nuk do të jetë e tillë”.
Kështu u shpreh dje në Durrës, në vendin ku sot gjendet stacioni i trenit të udhëtarëve, do të ndërtohet një nyje e rëndësishme transporti që do të ndërlidhë portin me rrugët. Kandidati demokrat për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, tha se, “ky do të projekti më i madh në qytetin e Durrësit”. Projekti parashikon zhvendosjen e stacionit të trenit të udhëtarëve rreth 300 metra në drejtim të Urës së Dajlanit dhe në një sipërfaqe prej afro 30 mijë metra katrorë do të ngrihet infrastruktura e nevojshme për të lidhur terminalin e udhëtarëve të portit me segmentet rrugore në drejtim të Tiranës, veriut, ose jugut të vendit. Objekti që do të ndërtohet do të shërbejë edhe si stacioni i autobusëve interurbanë të Durrësit, ndërkohë që pjesë e tij do të jetë edhe një qendër rinore, ku do të ketë kinema dhe mjedise të tjera argëtuese.

Projekti 17 milionë euro
“Për nga impakti që do të ketë mbi zhvillimin e qytetit dhe për sa i përket fondin që kërkohet për t’u zbatuar, tha kandidati demokrat Xhaferaj, ky është projekti më i madh”. Xhaferaj, i gjendur tek stacioni i trenit të udhëtarëve, pikërisht në vendin ku do të ndërtohet ky kompleks ndërlidhës i rrugëve të ndryshme të transportit, vijoi duke treguar detaje të objektit multifunksional. Kompleksi do të ndërtohet mbi një territor me sipërfaqe afro 30 000 metra katrorë, ndërkohë që objekti do të zërë afro 22 500 metra katrorë. Kompleksi do të përfshijë stacionin e autobusëve interurbanë të Durrësit, ndërkohë që do të ketë ura lidhëse me terminalin e udhëtarëve të portit të Durrësit dhe me rrugët që dalin nga qyteti bregdetar. Krahas qëllimit kryesor, që është ndërlidhja e qytetit me portin dhe me rrugët kryesore kombëtare, kompleksi do të shërbejë edhe si qendër biznesi, ku do të instalohen banka të ndryshme, agjenci udhëtimi, zyra të sipërmarrjeve të ndryshme private, etj. Kompleksi do të ketë edhe një parking prej 800 vendesh. Në përbërje të tij do të jetë edhe një qendër rinie, ku është parashikuar të ndërtohet edhe një kinema.

Zbatimi përmes partneritetit publik – privat
Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, tha se “fondi prej 17 milionë euro do të krijohet përmes partneritetit publik – privat”. Kuadri ligjor, që i jep lirinë dhe të drejtën njësive të pushtetit vendor për të hyrë në marrëveshje investimi me subjektet private ekziston prej kohësh, por është përdorur në raste shumë të rralla. “Ka plot subjekte private që duan të investojnë, - tha Xhaferaj, - ashtu siç ka edhe institucione të huaja financiare. Edhe Bashkia do të bëhet pjesë e këtij investime dhe kjo do të shërbejë si garanci për kontribuesit e tjerë”. Por, Xhaferaj tha se “partneriteti publik – privat që ne do të aplikojmë nuk është ai që ka aplikuar Dako deri tani. Vangjush Dako e ka parë partneritetin publik – privat si një mënyrë që paratë publike t’i çojë tek firma e tij private e betonit. Por, praktika jonë nuk do të jetë e tillë”, tha Xhaferaj. Në zgjedhjet vendore të 8 majit, kandidati Ferdinand Xhaferaj është në garë me rivalin socialist Vangjush Dako.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›