E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, krimet e rënda rihapin 5 dosje të vjetra

SARANDË – Sektori i krimeve të rënda në policinë e Sarandës rihap 5 dosje vrasjesh të vjetra. 

Bëhet fjalë për dy ngjarjet e rënda të Konispolit, si dhe tre të tjera të ndodhura në vitet ’97-‘98. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se, këto dosje janë rihapur me qëllim arrestimin e autorëve të tyre. Për hetimin e këtyre dosjeve, do të ballafaqohen edhe një herë provat e administruara në dosjet përkatëse, do të ripyeten dëshmitarët dhe njëherazi do të merren në pyetje edhe persona, të cilët dyshohet se kanë dijeni rreth tyre. Në një konferencë për shtyp, policia e Sarandës konfirmoi se, janë rihapur edhe dy nga vrasjet “mister” të Konispolit. Njëra nga ngjarjet është ekzekutimi i 45-vjeçarit Zihni Myderizi, më 8 tetor 2005 në vendin e quajtur “Burimi i Vasilikoit”, ndërsa tjera është ajo e ish-efektivit të Komisariatit të Sarandës, Vladimir Bejdo, vrarë në vitin 1998. Viktima Myderizi u gjet me kokë të prerë, gjysmë i zhveshur dhe me presa të bëra me mjete të mprehta në trup. Edhe sot nuk është gjetur koka e viktimës, ndërsa ngjarja është konsideruar si nga më të rëndat. Ndërsa polici 28-vjeçar nga Konispoli, u gjet i vrarë më 30 gusht 1998, në një pus në fshatin Sajevë të Thesprotisë në Greqi. Ai ishte torturuar mizorisht dhe trupin e tij e kishin përshkruar 5 plumba pistolete. Dyshohet se viktima është ekzekutuar në Konispol, dhe më pas autorët e kanë transportuar deri në fshatin grek për të fshehur gjurmët. Pjesë e dosjeve të hapura është edhe vrasja e trefishtë e ndodhur në mbrëmjen e 14 prillit 1997, në fshatin Rusan, të Delvinës, ku 3 të rinj kanë humbur jetën nga një konfrontim me armë zjarri. Gjithashtu, në rihetim janë çuar edhe vrasja e ndodhur në shëtitoren e Sarandës më 29 qershor 2008, ku Lulzim Balla, 25 vjeç u vra me 5 plumba nga persona ende të paidentifikuar.           sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›