Pollo takon drejtorin e rrahur nga nxënësit
• POGRADEC – Një ditë pas publikimit të dhunës së ushtruar nga dy nxënës të mbetur ndaj drejtorit të shkollës së mesme profesionale në Pogradec, ka mbërritur në këtë qytet ministri i Arsimit, Genc Pollo.Ai ka takuar në spitalin e qytetit drejtorin, Pavli Prifti, ndërsa ka pohuar se e dënon aktin e rëndë të ndodhur në ambientet e shkollës. Ministri Pollo i uroi drejtorit Prifti shërim të shpejtë dhe i siguroi përkrahjen e tij dhe të shtetit si dhe dënoi ashpër agresorët. “Ne nuk mund të rrimë sy e veshmbyllur kur dhunohet verbërisht mësuesi. Ne do të mbrojmë shkollën, mësuesit e nxënësit nga huliganët, por edhe nga kultura e dhunës”, u shpreh ministri. Sipas deklaratës së ministrit, vetë ai do të interesohet pranë policisë dhe prokurorisë që fajtorët të mos mbeten pa u ndëshkuar sipas ligjit. Incidenti ndodhi të mërkurën e shkuar, shkaktuar nga dy nxënës të vitit të tretë, të cilëve sapo u ishte komunikuar fakti se ishin ngelës për semestrin e parë. Ata kërcënuan mësuesen kujdestare dhe e kanë ndjekur atë me mjete të forta në duar për ta qëlluar në kohën kur hyri në zyrën e drejtorisë. Por, ndërsa drejtori tentoi të sqaronte situatën me dy 17-vjeçarët, ata nisën ta godisnin me mjetet që kishin me vete. Ndërhyrja e arsimtarëve të tjerë dhe vetë nxënësve shpëtoi drejtorin e shkollës nga rëndimi i gjendjes. Dy nxënësit pas denoncimit në polici u shoqëruan dhe për ta nisi procedimi penal në gjendje të lirë me akuzën e dhunës për shkak të detyrës. j.gj