Qafë-Botë nis fluksi i emigrantëve
• SARANDE – Nis fluksi i kthimeve të emigrantëve në pikën kufitare të Qafë-Botës në Sarandë.Burime nga kjo pikë pohojnë se mesatarisht numri i personave që hyjnë prej saj në brendësi të territorit shqiptar është rritur me 10-20 vetë në ditë. Sipas Erjon Budos, komandantit të pikës së kalimit kufitar Qafë-Botë, çdo ditë hyjnë rreth 70-80 persona, kryesisht emigrantë. Pritet që ky numër të shtohet në ditët në vazhdim, ndërkohë që Budo thekson se sportelet e kësaj pike kufitare do të jenë të hapura në çdo moment dhe të gatshme për të shërbyer për udhëtarët. Këto ditë familjarët emigrantë që vijnë janë të paktë, ndërkohë që më shumë vijnë studentët që studiojnë në shkollat greke. Vitin e kaluar Qafë-Bota u zgjodh nga një numër i madh emigrantësh edhe për faktin e thjeshtë, që këtu nuk krijohen radhë të gjata sikundër ndodh në pikat e tjera të kalimit kufitar në raste kthimesh masive të emigrantëve për festat e fundvitit. sh.d